Themeluesi i monedhës virtuale bitcoin është Adam Back. Një raport në gazetën The New York Times thekson se pas një investigimi është zbuluar identiteti i krijuesit me pseudonim të bitcoin-it, i njohur si Satoshi Nakamoto. Në një investigim që zgjati më shumë se një vit, u analizuan mijëra postime në internet derisa gjurma e misterit më të madh në kriptomonedhë çoi te një shkencëtar kompjuterash 55-vjeçar me emrin Adam Back.
Artikulli identifikon 55-vjeçarin Adam Back CEO i Blockstream, një kriptograf i shquar dhe figurë e hershme në komunitetin e bitcoin si themeluesin e sistemit revolucionar të monedhës dixhitale, të prezantuar në vitin 2008.
Bitcoin është rritur nga një kuriozitet në 17 vitet që kur u krijua kriptomonedha e parë në botë. Megjithatë, identiteti i shpikësit të tij ka mbetur i panjohur, i fshehur pas pseudonimit tashmë të famshëm Satoshi Nakamoto.
Por, Back, një figurë e hershme në komunitetin e bitcoin, mohon se është Nakamoto.
Individë të tjerë nga bota e informatikës dhe teknologjisë janë përmendur më parë si krijuesi i kriptomonedhës.
Komuniteti i kriptomonedhave ka pohuar gjithmonë se misteri nuk është financiarisht i rëndësishëm dhe nëse vërtetohet, identiteti i themeluesit do të kishte pak ndikim në bitcoin. Ata thonë se Bitcoin ka operuar në mënyrë të pavarur për më shumë se 10 vjet dhe ndoshta është më mirë për investitorët që të mbetet kështu.
Stoku i Satoshit rezulton më shumë se një milion Bitcoin dhe përfaqëson 5% të të gjithë monedhës, pasi shpikësi vendosi që do të krijoheshin vetëm 21 milionë monedha.
Çmimi i bitcoin u rrit së fundmi me 4.4% në 71,732.79 dollarë të mërkurën, si pjesë e një rritjeje të gjerë të tregut në lehtësim të lidhur me armëpushimin SHBA-Iran.


