Shqipëria ka përmirësuar indeksin e demokracisë në vitin 2022. Raporti i sapo publikuar i “The Economist’ e rendit Shqipërinë në vendin e 64 duke u përmirësuar me 4 pozicione në raport me vitin 2021.
Mali i Zi dhe Shqipëria regjistrojnë përmirësimet më të mëdha në Indeksin e Demokracisë gjatë vitit që lamë pas.
Në raportin e ‘The Economist’ vërehet se Serbia ka pësuar një përkeqësim duke zbritur në vendin e 68, Maqedonia është përmirësuar me një pikë, duke u ngjitur në vendin e 71 ndërsa Bosnje–Hercegovina është vendi me pozicionimin më të keq përsa i përket indeksit të demokracisë duke qëndruar në vendin e 97.
Vlerësimin më të lartë në indeksin e demokracisë për vitin 2022 Shqipëria e ka shënuar në treguesin e lirive civile me 7.35 pikë.
Treguesi i dytë renditet procesi zgjedhor dhe pluralizmi, i ndjekur nga funksionimi i qeverisë dhe kultura politike.
Ndërkohë që treguesi me rezultatin më të dobët është ai i pjesëmarrjes politike, me vetëm 5 pikë.
Vendi ynë rezulton gjatë vitit 2022 në grupin e dytë të vendeve të ashtuquajtura demokraci me probleme ku zgjedhjet janë të lira dhe ka të drejta civile, por ka probleme si liria e medias.
Raporti i ‘The Economist’ vlerëson gjendjen e demokracisë në 167 vende në bazë të pesë treguesve.


