Thahet Rrapi i Taksimit i mbjellë 4 shekuj më parë, i ka rënë një sëmundje e rëndë

schedule15:22 - 12 Qershor, 2022

schedule 15:22 - 12 Qershor, 2022

Ky është “Rrapi i Taksimit” me një vjetërsi afro 400-vjeçare. Ndodhet pranë fshatit Librazhd-Katund. Rrapi është shpallur monument natyre në dhjetor të vitit 2002. Gjatë demokracisë për të janë kujdesur banorët e zonës. Rrapi pas 4 shekuj është tharë. Bajram Kullolli, shefi i menaxhimit të zonave të mbrojtura të Qarku të Elbasanit thotë se rrapi është prekur nga kërpudha e trakeomikozës.

“Për fat të keq një sëmundje problematike për këtë lloj rrapi përfshiu gjithë luginën e Shkumbinit, bëri të mundur që Rrapi i Taksimit të mos ruajë më statusin. Ai u tha përfundimisht. Për të ruajtur historinë e tij dhe është menduar të mbillet një dru I ri rrapi për të përkujtuar historinë që mban ky monument natyre.”

Historiani, Shaban Gjura tregon se pranë rrapit shekuj më parë u ndërtuan kanale vaditëse. Banorët e disa fshatrave ndanin sasinë e ujit që përdornin për vaditje.

“U ndërtua në një vend ku merr fund vija e madhe e kanalit të Rilës që është mbi 10-12 km e gjatë, që nuk shteron gjatë verës është më ujë të rrjedhshëm. Quhet taksim jo për faktin se paguhen taksa, por për faktin se secila familjet, që kishte kontribuar për hapjen dhe vënien të funksion të kanalit, merrte pjesën e tij të ujit sipas tokës. U ndërtua nga njerëz që kishin parë dhe ndërtuar në vende të tjera. Në bazë të numrit të shtëpive u vendosej gjerësia e taksën apo gjerësia e kanali që do shkonte në disa fshatra.”

Sipas historianit rrapi ishte dhe një vendtakim për burrat e zonës që kuvendonin dhe zgjidhnin mosmarrëveshjet.

“Ai vend mbetet i shenjtë. Gjithë fshati, gjithë komuniteti ishte I predispozuar ta ruante si sytë e ballit sepse me të kishte lidhur jetën, ekzistencën, bukën e gojës. Ishte vetë hija ose vetë lëndina ku burrat mblidheshin dhe zgjidhnin të gjitha keqkuptimet. Qoftë dhe kur një familje nuk merret pjesë në riparimin e kanalit, në bërjen gati për ta vinin në funksion në 15 maj. Ujin zona jonë duhet ta kishte në krye të arrës se atëherë fillonte vaditja dhe thatësira. Burrat aty zgjidhnin dhe vendosnin për gjithçka.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!