Në një intervistë për mediat në vendin tonë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se do të japë dorëheqjen nëse marrëveshja që do të arrihet me Serbinë nuk do të miratohet në parlament
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u deklarua i gatshëm për të dhënë dorëheqjen nëse marrëveshja përfundimtare që do të arrihet me Serbinë, nuk do të marrë miratimin në parlamentin e vendit. Kreu I shtetit shtoi se hapi i rradhës do të ishte mbajtja e një referendumi për marrëveshjen në fjalë.
Thaci theksoi se nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanovci i bashkëngjiten Kosovës me marrëveshje, dhe Kuvendi i Kosovës nuk e aprovon, ai do të japë dorëheqjen ose do të shpallë referendumin; këtë të fundit me bindje se do të fitojë 80%, sepse 99% e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc e përkrahin bashkangjitjen me Kosovën, dhe rreth 75-80% e qytetarëve të Kosovës aktualisht e mbështesin këtë bashkëngjitje.
Në intervistën për televizionin shqiptar Report TV, Thaçi mohoi se marrëveshja përfshin lëshim të territoreve nga Kosova. Presidenti i Kosovës deklaroi se është gati që të shkojë në Hagë, nëse Gjykata Speciale e thërret.
Dhe nëjherë më shumë presidenti i bëri thirrje kryeministrit Haradinaj që të heqë taksën për mallrat nga Serbia, duke thënë se ato po futen kontrabandë dhe miqësia me SHBA-në po dëmtohet.
Presidenti i Kosovës kërkoi që këshilla e SHBA-së për heqjen taksës me Serbinë të dëgjohet, pasi pa mbështetjen e Amerikës, sipas tij, integrimi në NATO, BE apo edhe njohjet mbesin ëndërr./abcnews.al