Thaçi – Vuçiç në Davos: Shkëmbim argumentash me një ton të civilizuar

schedule20:45 - 20 Janar, 2020

schedule 20:45 - 20 Janar, 2020

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaci dhe Aleksander Vuçiç do të jenë të martën në Davos ku do të marrin pjesë në një panel diskutimesh. Vuçiç ka thënë se pret shkëmbim argumentesh, por edhe një ton të civilizuar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, udhëtoi për në Zvicër ku do të marrë pjesë në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit.

Thaçi do të jetë pjesëmarrës në panelin “Dialogu Diplomatik për Ballkanin Perëndimor” dhe gjatë ditës do të ketë takime bilaterale edhe me liderë të ndryshëm shtetesh që po marrin pjesë në këtë forum.

Thaçi do të jetë i pranishëm edhe në adresimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, drejtuar liderëve të të gjitha vendeve pjesëmarrëse.

Në Davos do të jetë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili, sipas mediave serbe, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në një panel në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të martën me Hashim Thaçin.

Vuçiç ka thënë se pret shkëmbim argumentesh, por edhe një ton të civilizuar.

I pyetur se çfarë pret nga ai takim, Vuçiç tha se do të jetë një takim interesant.

“Ne do të shohim atë që thotë ai, dhe unë do të vazhdoj të përfaqësoj interesat e Serbisë,”  tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se ai, me siguri nuk është i entuziazmuar kur e sheh Thaçin, por se detyra e tij është të përfaqësojë Serbinë dhe të luftojë për interesat e saj, dhe se njerëzit nuk e zgjodhën atë president që ai të ishte i bukur, por për të zgjidhur problemet dhe për të luftuar për vendin e tij.

“Unë pres një shkëmbim argumentesh, i cili nuk do të jetë as i lehtë, por besoj se me një ton të civilizuar, ne do të jemi në gjendje ta bëjmë atë,” tha Vuçiç./abcnews.al