Pasi u ka shërbyer drekën, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar rritje page për anëtarët e ushtrisë së Kosovës. Kreu i shtetit u shpreh i bindur se do të mbështetej për këtë kërkesë dhe nga qeveria dhe nga parlamenti.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur për gazetarët pasi ka shërbyer drekën për ushtarët e Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Thaçi theksoi se do të kërkojë nga Qeveria që atyre t’u rriten pagat dhe sipas tij kjo kërkesë do të miratimin e të gjitha palëve si nga qeveria por edhe Kuvendit.
Hashim Thaçi, president i Kosovës: “Dëshiroj t’i përgëzoj të gjithë edhe njëherë për hapin e madh dhe gjigant për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Kisha kënaqësinë që bashkë me Gjeneralin Rama dhe ushtarë të Kosovës të kemi një drekë të përbashkët dhe puna më e mbarë është se ndodhi pas kthimit nga seanca e Këshillit të OKB-së, ku edhe njëherë u verifikua edhe botërisht themelimi i Ushtrisë dhe mbështetja ndërkombëtarë dhe sot jam këtu në një drekë të lirë për t’i shërbyer ushtarit të Kosovës dhe për t’i uruar për Krishtlindjet, Vitin e Ri dhe gjitha festat e fundvitit. Unë kam vendosur si presidenti dhe si Komandant Suprem t’i propozojë qeverisë rritjen e pagave për ushtarët e FSK-së, që ata ta kenë një jetë të dinjiteteshme me punën dhe angazhimin e tyre, shpresoj që Qeveria t’i përgjigjet pozitivisht për rritjen e pagave në mënyrë solide dhe të pranishme. Shpresoj të jemi të mobilizuar edhe në këtë drejtim”./abcnews.al