Thaçi: Qeveria e re të marrë përgjegjësitë, është koha për prioritete të qarta

schedule16:54 - 1 Qershor, 2020

schedule 16:54 - 1 Qershor, 2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi këtë të hënë në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje qeverisë, e cila pritet të votohet të mërkurën, që të heq të gjitha pengesat që dëmtojnë marrëdhëniet me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar.

Ndër të tjera në fjalën e tij ai ka theksuar se e mirëpret Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të tij ku propozoi Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër.

Kreu i shtetit në fjalën e tij ka theksuar se mirëpret përfundimin e këtij procesi politik e juridik.

U dëshmua se në Kosovë është pjekur demokracia dhe se funksionojnë me sukses institucionet e pavarura. Tashmë është hapur rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, shpresoj se do të jetë kapitull i ri për stabilitet dhe zhvillim.  Është e rëndësishme të respektohet rendi kushtetues dhe ligjor i Kosovës. Pres që sa më parë të themelohet Qeveria e re pasi rrethanat kërkojnë një qeveri funksional edhe efektive. Kosova nuk e ka luksin të ketë vakum në qeverisje, na duhen institucione që lëvizin gjërat përpara me prioritete të qarta, e jo institucione viktimë e së kaluarës dhe e vendnumërimit”,  është shprehur Thaçi.

Presidenti Thaçi ndër të tjera ka thënë se është mirë që është përcaktuar dita e mbajtjes së seancës së re

Ftoj partitë politike dhe të nominuarin për kryeministër që të marrin përgjegjësitë . Kosova dhe shoqëria kosovare është dëmtuar dhe vonuar si në rrafshin e brendshëm por edhe atë të jashtëm, shkaku i ndërrimit të shumë qeverive e kryeministrave në katër vitet e fundit”, ka thënë ai.

Gjithashtu presidenti ka theksuar se qeveria e re e Kosovës, duhet të të ketë gati planin për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë me COVID-19./abcnews.al