Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh i shqetësuar për ekzagjerimin që i është bërë përpjekjes për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ai ripërsëriti edhe njëherë se do të firmosë për shfuqizimin e saj nëse një gjë të tillë do t’ia kërkojë parlamenti.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se vendimi për ngritjen e Gjykatës Speciale është ende në fuqi. Kreu i shtetit i quajti të panevojshme teprimet rreth kësaj çështjeje.
Hashim Thaçi, president i Kosovës: “Jam i shqetësuar me ekzagjerimin që i bëhet këtij procesi të opinionit të deputetëve të Kosovës. Duhet kuptuar që vendimet në parlament i marrin deputetët, njerëzit e zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo ndërhyrjet brutale apo të dhunshme ndaj grupeve parlamentare, apo thirrjet e ndonjë ambasadori të caktuar se sonte është koha me hedh gaz lotësjellës në parlament. Mendoj se këto thirrje e cënojnë rëndë demokracinë në Kosovë”.
Më tej Thaçi përsëriti se themelimi i kësaj gjykate është pranuar nga ai vetëm për të ruajtur partneritetin me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe NATO-n. Gjithashtu nënvizoi se do të firmoste një vendim të parlamentit të kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Presidenti foli edhe për frikën se nga ky vendim mund të pasojë një izolim i vendit.
“Definitivisht jo. Kosova edhe kështu është e izoluar, sepse nuk ka viza. Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është vonuar; nuk na lejohet që të aplikojmë për Interpol, për UNESCO, për Këshill të Evropës, gjë që ishin deklaruar qartë”.
Më tej, Thaçi foli edhe për demarkacionin me Malin e zi. Presidenti i Kosovës nënvizoi se kjo marrëveshje duhet të miratohet në kuvend pasi është e saktë dhe është pranuar nga ekspertët ndërkombëtare./abcnews.al