Thaçi pas “Berlinit”: Taksa, vendim i drejtë

schedule22:30 - 30 Prill, 2019

schedule 22:30 - 30 Prill, 2019

Një ditë pas samitit të Berlinit, presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova në këtë takim doli me qëndrimin e qartë se nuk pranon kushte nga Serbia për të vijuar dialogun dhe për të siguruar njohjen prej saj. Ndryshe nga më parë, Thaçi ka mbrojtur vendosjen e taksës për produktet serbe, ndërsa ka paralajmëruar se në Kosovë nuk do të ketë kurrë një sovranitet të dyfishtë.

I sapokthyer nga Gjermania, presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova në samitin e Berlinit ka dalë me një qëndrim të qartë sa i takon dialogut me Serbinë, i cili sipas tij duhet të vijojë pa kushte. Ndryshe nga më parë, Thaçi ka mbështetur vendimin për taksën ndaj produkteve serbe dhe ka paralajmëruar Beogradin me masa të tjera nëse vijon me fushatën e tij kundër njohjeve të Kosovës. “

Hashim Thaçi, president i Kosovës: “Sa i takon pjesës së dialogut, pozicioni i Kosovës ka qenë i qartë, ai mund të vazhdojë vetëm i pakushtëzuar. Taksa ka qenë vendim i drejtë dhe duhet të mbetet në fuqi. Dhe nëse Serbia tregohet agresive duhet të shkojmë edhe më tej”.

Thaçi ka theksuar se, edhe njohja e Kosovës nga Serbia duhet të vijë pa kushte dhe për këtë ka kërkuar një angazhim më të fortë jo vetëm nga BE, por edhe Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, Thaçi është shfaqur disi i tërhequr nga ideja e mëparshme e tij për korrigjimin e kufijve, kur ka thënë se Serbia dhe Kosova duhet të ruajnë karakterin multietnik.

Hashim Thaçi, president i Kosovës: “Do vazhdojmë punën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që ruan karakterin multietnik të Kosovës e Serbisë, që ka të ardhme të sigurtë europiane dhe që të mbyllë të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve”.

Thaçi ka theksuar se nuk do të lejojë asnjë sovranitet të dyfishtë në territorin e Kosovës dhe se nuk do të ketë asnjë kompromis për një asociacion me pushtet ekzekutiv. Kompromisi do të jetë zero.

Hashim Thaçi, president i Kosovës:  “Nuk do të lejojmë as ide për një ndarje të Kosovës, apo për krijimin e një modeli të Republikës Serbe”.

Më tej presidenti i Kosovës ka shprehur shpresën se, samiti i ardhshëm që do të realizohet në Paris do të ofrojë një dinamikë të re në dialogun dypalësh, që në asnjë rrethanë, ka përsëritur ai, nuk duhet kushtëzuar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!