Thaçi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet brenda 2019-s

schedule22:35 - 20 Shkurt, 2019

schedule 22:35 - 20 Shkurt, 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi gjatë një tryeze të ekipit negociator për dialogun, se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet brenda këtij viti. Në të kundërt, sipas tij, vendi do të hyjë në situatë të rrezikshme dhe rajoni do të destabilizohet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se dialogu Kosovë-Serbi është i pashmangshëm, ndërsa idenë për korrigjim kufijsh e ka marrë nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova. Në konferencën “Zëri i Popullit” rreth finales së madhe të dialogut me Serbinë, Thaçi tha se ka ardhur koha për të lënë prapa armiqësinë, që ka prodhuar tragjedi në Kosovë.

“Nuk ka dyshim që nëse këtë vit nuk bëjmë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, mund të hyjmë në zonë të rrezikshme dhe të destabilizojmë rajonin”, tha Thaçi.

“Ne nuk duhet të jemi në presionin e kohës, por për një marrëveshje të mirë…”, u shpreh Limaj.

Sipas kreur të LVV-së, Albin Kurti, politika kosovare ka mundësi të jetë e unifikuar rreth asaj se çfarë kërkojnë në dialog me Serbinë, ndërsa ka shtuar se askush nuk ka t’i  falë tokë Serbisë.

“Në Kosovë 5 liderë politikë, kanë 6 mendime. Është e domosdoshme që ne të dakordohemi ç’ka duam karshi Serbisë”, tha Kurti.

Sipas sondazhit të RIDEA-s, 62% e të anketuarve nuk pajtohen me ndërprerjen e dialogut Kosovë Serbi, ndërsa  91 % janë kundër ndarjes së veriut të Kosovës. Në bazë të këtij sondazhi 43% e shqiptarëve përkrahin idenë që Kosova të kërkojë bashkimin me Shqipërinë, ndërsa 49 prej tyre janë kundër. 61 përqind e shqiptarëve të Kosovës janë për bashkim me Luginën e Preshevës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!