Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në reagimin e tij në Facebook në .lidhje me situatën e krijuar si pasojë e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë nuk ka përmendur më faktin e domosdoshmërisë së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Thaçi përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se IKSHP është duke e menaxhuar mirë situatën dhe duke kufizuar përhapjen e virusit.
Ndër të tjera ai shkruan se FSK është në gjendje gatishmërie për të ndihmuar në tejkalimin e situatës me COVID-19.
Ndërkohë deri më tani në Kosovë janë 21 raste të konfirmuar me koronavirus.
Postimi i plotë:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19.
Policia është duke e kryer me përpikëri punën e vet dhe duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike.
Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga virusi COVID-19.
Rolin kryesor tani e kanë qytetarët.
Të kujdesemi për higjienën tonë. Ta ruajmë distancën fizike mes nesh. Të dalim nga shtëpitë vetëm kur kjo është e domosdoshme. Këto ditë janë kritike për ta kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i lejuar kapacitetet ekzistuese që të përballen me rastet që paraqiten.
Si shtet jemi të përgatitur dhe po punojmë të gjithë së bashku që t’i shtojmë kapacitetet mjekësore, ta ruajmë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrim masa dhe t’i ruajmë punëtorët dhe bizneset, të cilat duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm.
Së bashku do të tejkalojmë edhe këtë sfidë!/abcnews.al