Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh mirënjohës për interesimin e ndërkombëtarëve për shkak të përpjekjes për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Ai tha se për këtë çështje duhet të vendosë parlamenti I Kosovës.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi I është rikthyer çështjes së shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale. Kreu I Shtetit tregoi edhe komunikimin e tij me ndërkombëtarët.
Hashim Thaçi, president i Kosovës: “Ka qenë një interesim normal. Kam zhvilluar takime me ta, dhe kam shprehur opinionin tim.Ne duhet të jemi gjithmonë mirënjohës për interesimin që shfaq komuniteti ndërkombëtar, por, në fund të fundit, vendimet janë të njerëzve të zgjedhur nga populli”.
Thaçi ripërsëriti qëndrimin e tij se do të nënshkruante një vendim të Kuvendit për zshfuqizimin e Gjykatës Speciale. Sipas tij kjo nismë nuk është kundër drejtësisë. Gjithashtu porositi që kjo çështje të mos dramatizohet. Ndërkohë, Gjykata Speciale është kërkuar nga ndërkombëtarët dhe do të merret kryesisht me gjykimin e rasteve të krimeve të luftës të kryera nga pjestarë të Uçk-së kundër serbëve gjatë luftës së Kosovës./abcnews.al