Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të flas pa betim sot para trupit gjykues në Hagë. Kjo është bërë e ditur nga mbrojtja e tij gjatë seancës së sotme.
Deklarimi i Thaçit pritet te bëhet në përfundim të paraqitjes së fjalës hyrëse të ekipit të tij mbrojtës.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po prezantohen deklaratat hapëse nga ekipet mbrojtëse.
I pari që ka filluar është avokati i Thaçit, Gregory Kehoe i cili ka folur për jetën e të akuzuarit gjatë viteve 1998-1999.
Gjatë paraqitjes së provave në të cilat synon të mbështetet, Kehoe ka folur edhe për luftën në Kosovë, masakrat serbe dhe dëbimet që u bëheshin shqiptarëve atë kohë.
Ndër te tjera, janë lëshuar video deklarime e intervista të Thaçit ku bënte thirrje për bashkëjetesë midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe ku deklaronte që Kosova është multietnike.
Sipas ekipit mbrojtës politika e Thaçit ishte e kundërt me atë që ZPS po synon të paraqesë.
Në fjalimin para Speciales, Thaçi ka thënë se pret që gjykimi ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të jetë i drejtë dhe të përfundojë shpejt.
“Jam i kënaqur që procesi e ka dëshmuar edhe njëherë se nuk ka pasur trafikim organesh e shtëpi të verdhë. Kosovës i është hequr reja e zezë të cilën ia kishte vënë Raporti i Martyt”, ka thënë Thaçi.
Kjo është dita e dytë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në galerinë për publikun, përveç gazetarëve ndodhen edhe familjarët e të akuzuarve.
Me t’u ngritur perdja në sallë, Thaçi dhe Selimi janë parë duke përshëndetur me dorë familjarët e tyre qe ndodheshin lartë në galeri./Kosova Press