Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar 39 personalitete shqiptare për kontributin e dhënë ndaj shtetit të Kosovës. Në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë, 39 personalitetet u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë”.
39 personalitete të shquara shqiptare janë dekoruar për kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës gjatë një ceremonie të mbajtur në Tiranë. Vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar personalitetet me dekoratën presidenciale “Urdhri i Lirisë”.
“Për mua sot është një kënaqësi e veçantë, e jashtëzakonshme, një moment special në jetën time, por edhe si president i Kosovës që të jem në mesin tuaj dhe duke respektuar mandatin tim, por në të njëjtën kohë duke vlerësuar lart kontributin tuaj të secilit veç e veç, të shtetit shqiptar, të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Një kontribut historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të kemi një ceremoni të tillë mirënjohjeje dhe respekti për atë angazhim të jashtëzakonshëm dhe vendimtar për të arritur lirinë e Kosovës”, tha ai.
Disa nga figurat e dekoruara gjatë ceremonisë ishin: Fatos Nano, Kiço Blushi, Bashkim Zeneli, Sabit Brokaj, Bashkim Fino, Fatos Klosi, Blendi Klosi dhe mjaft personalitete të tjerë./ABC News Albania 24/7