Teuta-Skënderbeu, Shehi: Humbja e pamerituar

schedule16:59 - 30 Shtator, 2018

schedule 16:59 - 30 Shtator, 2018

Trajnerët patën mendime të ndryshme pas sfidës së Superligës mes Teutës e Skënderbeut. Tekniku i durrsakëve, Shkëmbi vlerësoi ekipin e tij, ndërsa Shehi i korçarëve e quajti humbjen të pamerituar.

Kanë qenë dy miq, dy kapitenë dhe dy fitues.

Bledi Shkëmbi dhe Orges Shehi natyrisht që u ndanë si të tillë, edhe këtë fundjavë në Durrës, ndonëse i pari fitoi dhe i dyti humbi.

Teuta mposhti 2-0 Skënderbeun në “Niko Dovana”, duke i shkaktuar disfatën e parë në këtë kampionat, e duke e zbritur në vend të tretë.

Shkëmbi, ish-kapiten i korçarëve, e vlerëson kështu lojën e të tijve.

“Ishte normale se luanim ndaj një skuadre shumë të fortë dhe mendoj që sidomos në pjesën e parë kemi bërë një lojë shumë të mirë, me shumë dëshirë, ndryshe nga ndeshja e fundit kur kemi luajtur me Flamurtarin”, tha Shkëmbi.

Teuta ka lojtarë të mirë, por mjaft luhatje në rezultate.

“Shpresoj që të paktën kjo fitore nga ana psikologjike të na bëjë mirë dhe unë mendoj që në futboll shumë e rëndësishme është vazhdimësia e rezultateve”, shprehet Shkëmbi.

Orges Shehi, ndërkaq, ka mendim disi të ndryshëm, ndërsa e ndoqi ndeshjen nga stoli i Skënderbeut.

“Rezultati nuk i përgjigjet fare lojës së zhvilluar. Kemi dalë shumë herë para portës, por s’kemi shënuar. Futbolli i tillë është po nuk shënove, do ta pësosh. Më vjen keq se ishte një goditje me dy standarde. Lojtarët meritojnë përgëzime të mëdha, nuk është e lehtë të luash me një lojtar më pak”, tha Shehi.

Trajneri i kampionëve u ngacmua për arbitrin që nxorri me të kuqe një lojtar të tijin, që në fund të pjesës së parë.

“Me arbitrat as s’kam për t’u marrë dhe as do të merrem kurrë”, u shpreh Shehi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!