Teuta mbetet me shpresë për kualifikim në Ligën e Europës. Trajneri Shkëmbi nuk duket i tronditur nga humbja 0-3 në Letoni dhe beson se ekipi i tij mund t’ia dalë.
Nuk kishte si të niste më keq. Ventspilsi, kundërshtari i vjetshëm i Luftëtarit, realizoi sërish fitore të thellë ndaj një ekipi shqiptar, Teutës, veçse durrsakët thonë se mbeten me shpresë. Disfata 0-3 në Letoni ishte e rëndë, por trajneri Bledi Shkëmbi gjykon se ekipi i tij sot mund t’ia dalë.
“Një rezultat i thellë, por nuk kemi bërë një ndeshje të keqe për sa i përket lojë. Patjetër që diferenca e kundërshtarit na bëri të pësojmë gola, por gjërat e mira jemi mundura t’i përmirësojmë dhe t’i çojmë përpara, gabimet që kemi bërë t’i neutralizojmë, kemi bërë analizë dhe për këtë ndeshje nuk na nglet veçse të provojmë të bëjmë atë që bëri kundërshtari”, tha Shkëmbi.
Çfarë do të ndryshojë Shkëmbi nga ndeshja e parë?
“Duhet të jemi më shumë të kujdesshëm që këto gabime individuale mos të përsëriten. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe me fat me rastet që na dalin para portës”, tha Shkëmbi.
Nuk mund të mungonte një pyetje për Skënderbeun, ndaj ish-kapitenit të Skënderbeut.
“Nuk ka ndonjë person që ka lidhje me futbollin që të mos ndihet i keqardhur. Ndoshta vetëm ata që kanë qenë xheloz për Skënderbeun. Pjesa tjetër besoj se jemi të keqardhur dhe shpresojmë që ato që thotë Presidenti i Skënderbeut të vazhdojë luftën për drejtësi”, tha Shkëmbi.
Ventspilsi, ndërkaq, ka mbërritur në Shqipëri për të siguruar kualifikimin. Trajneri Igor Kljosov deklaroi se ndeshja duhet menduar sikur gjithçka nis me shifrat 0-0, pasi në futboll gjithçka mund të ndodhë. Dueli në “Niko Dovana” nis në orën 17:00./ABC News Albania 24/7