“Çdo vit nga data 1-31 tetor nis fushata e ndërgjegjësimit për luftën ndaj kancerit të gjirit, e cila njihet si “Tetori Rozë”. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në 2024 janë diagnostikuar me kancer gjiri 805 raste te reja në të gjithë vendin”.
Në 10-vjeçarin e fundit, specialistët e shëndetit thonë se rastet me kancer gjiri kanë ardhur në rritje.
“Në 2024 në regjistrim e kancerit kemi 805 raste të reja me kancer. Në 10 vitet e fundit numri ka ardhur në rritje çdo vit me shifrën 2.1% sa i takon rasteve te burrat janë të diagnostikuar 10 raste, të moshës mbi 50 vjeç”, tha drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toçi.
Përveç faktorit gjenetik, faktorë të jashtëm që ndikojnë në shkaktimin e këtij problem shëndetësor mjekët përmendin stilin e jetesës.
“Faktorët e stilit të jetesës, shtuarja e nënave për të lindur fëmijën e parë, përdorimi i alkoolit tek ata, apo mos të harrojmë faktorin tjetër që është rritja e jetëgjatësisë tek shqiptarët. Padyshim që kur të arrij mosha 65 vjeçare, është më rriskues për tu prekur nga një kancer gjiri”, u shpreh Onkologia Klejda Mati.
Pavarësisht se rastet vijnë në rritje, numri i jetëve të humbura në dekadën e fundit ka pësuar rënie.
“Kemi rënie të numrit të vdekjeve në vitet e fundit, gjatë 2024, humbën jetën 224 gra”, tha Toçi.
Të gjitha vajzat dhe gratë gjatë muajit tetor përfitojnë falas mamografinë, për tu bërë pjesë e saj, nuk kërkohet rekomandim nga mjeku, dhe mund ta marrin pranë Qendrave Shëndetësore, por jo vetëm. Kjo thirrje, shkon më shumë për grupmoshën mbi 40 vjeç, për të kapur në kohë sëmundjen e rëndë.
“Grupmosha më e prirur për tu prekur nga kanceri i gjirit është ajo 50-70 vjeç. Dhe mamografia falas pranë poliklinikave, te spitalet rajonale, apo në maternitetin Geraldinë”, edhe në QSUT”, u shpreh Dorina Toçi.
Për ta përqafuar sa më shumë depistimin në kohë të hershme Ministria e Shëndetësisë mbi moton “Çdo ditë vlen për jetën tënde” ofron njësi lëvizëse të mamografisë për t’ju ardhur në ndihmë edhe vajzave e grave që jetojnë në zona të thella rurale. Thirrjes për depistim të hershëm, iu bashkua edhe ministria virtual “Diella”, e veshur me rozë si simbol i solidaritetit për këtë sëmundje.

