“Teste kemi, por kërkesat nuk justifikohen”, mjekët: Ja pse nuk zbatohet protokolli anticovid

schedule17:11 - 10 Shkurt, 2021

schedule 17:11 - 10 Shkurt, 2021

Nga Ajgena Korbi

Ndryshe nga fundi i javës së shkuar kur në qendrën shëndetësore numër 10 në Tiranë u desh ndërhyrja e policisë për të shuar tensionin e krijuar mes qytetarëve në radhë për të kryer testin e shpejtë, të mërkurën situata ishte më e qetë.

Drejtoresha Jonida Diko sqaron pse ndodh të shkelet protokolli i masave kundër koronavirusit  në një hapësirë ku presin të marrin shërbim dhe persona të dyshuar për Covid 19. “Një numër i madh pacientësh aktualisht duke kryer tamponin vijnë të shoqëruar, nuk respektojnë orarin ose ditën që ka vendosur mjeku i familjes. Pacienti duhet të vijë në ditë dhe orar të caktuar” tha ajo.

Për pretendimin që disa qytetarë shprehën pak ditë më parë në ABC se janë kthyer në shtëpi pa kryer testin e shpejtë ndonëse ishin pajisur me rekomandimin e mjekut të familjes pasi testet mungonin drejtoresha e qendrës shëndetësore  jep këtë përgjigje.

“Ka një kërkesë të pajustifikuar nga pacientët duke kërkuar disa herë të testohen. Pacienti vjen dhe thotë kam pasur një kontakt pozitiv para 4 ditësh, a mund të testohem edhe unë? Ajo nuk mund të testohet. Ose dua të dal jashtë shtetit, dua të testohem me rapid test, nuk mund.

Rapid testi është një testim klinik që bëhet për të dhënë sa më shpejt mjekim dhe izoluar sa më shpejt rastin. Aktualisht nuk kemi pasur mungesë te testeve të shpejta” tha ajo. ABC  të mërkurën ishte dhe në pika të tjera ku kryhet testi i antigenit në Tiranë dhe situata paraqitej e qetë./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!