Eliminimi i Manchester City është një mision i vështirë, por Dortmund nuk ka frikë dhe nesër do të tentojë të përmbysë humbjen 2-1 të takimit të parë në Angli. Verdhezinjtë duan kualifikimin në gjysmëfinalet e Champions League dhe do të japin gjithçka në fushën e tyre.
Trajneri i skuadrës gjermane, Edin Terzic ka prekur disa tema në konferencën për shtypin. 38-vjeçari vlerëson forcën dhe kualitetin e ekipit kundërshtar, tregon se çfarë duhet të bëjnë djemtë e tij, konfirmon një mungesë, ndalet te Haaland dhe thur elozhe për adoleshentin Belligham.
NDESHJA – “Besimi është maksimal, edhe pse e dimë se ndaj Cityt nuk mjafton vetëm të kesh besim. E treguam në ndeshjen e parë se mund t’i rezistojmë furisë së një ekipi të shkëlqyer. Na pret një detyre e vështirë, duhet të punojmë fort gjatë gjithë ndeshjes dhe të luajmë me guxim”.
EKIPI – “Kemi disa lojtarë që kanë probleme fizike (Reus dhe Hummels), të shohim nëse do të rikuperojmë ndonjë prej tyre në momentet e fundit. Sancho nuk do të luajë nesër. Haaland? Ai është një lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, edhe pse kohët e fundit nuk ka shënuar”.
BELLINGHAM – “Askush nuk është i befasuar nga rritja e tij, e shohim çdo ditë si punon dhe çfarë bën në stërvitje. Jude është një talent i madh, një futbollist i ri, mbi të gjitha është vetëm 17 vjeç. E mbështesim të gjithë, po përpiqemi që të rritet në mënyrën më të mirë të mundshme”. /abcnews.al