Bayerni fitoi 2-3 në Pire përballë Olympiacos dhe numëron pikë të plota pas tre ndeshjeve të para në fazën e grupeve të Champions League. Sukses me kosto për klubin bavarez, teksa një tjetër lojtar është dëmtuar rëndë.
Lucas Hernandez u detyrua t’i linte vendin Jerome Boateng pas një ore lojë, ndërsa kontrollet mjekësore kanë konfirmuar frikën e madhe të trajnerit Kovac.
Mbrojtësi francez ka pësuar një këputje të pjesshme të ligamentit. Hernandez pritet të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta. “Duhet të kalojnë disa javë derisa Lucas të rikthehet, do të mungojë gjatë”, është shprehur për Sport1, Hasan Salihamidzic, drejtori sportiv i klubit bavarez.
Kampionët e Gjermanisë humbën edhe shërbimet e Niclas Sule disa ditë më parë. Mbrojtësi gjerman ka mbyllur praktikisht sezonin dhe Bayerni po pret me padurim merkaton e janarit për të përforcuar repartin e mbrojtjes, aty ku objektivi kryesor është Samuel Umtiti i Barcelonës. /abcnews.al