Terroristë mes refugjatëve që kalojnë Mesdheun

schedule22:56 - 19 Shtator, 2019

schedule 22:56 - 19 Shtator, 2019

Në përfundim të një operacioni 6-javor, Interpol ka zbuluar një numër personash të dyshuar si terroristë që kanë kaluar Mesdheun, duke mbërritur në Europë. Agjencia policore ka bërë të ditur se ka kryer mbi 1.2 milionë kontrolle në portet e 6 vendeve të ndryshme në periudhën 24 Korrik-8 Shtator.

Operacioni “Neptun 2” është fokusuar tek akset detare mes vendeve të Afrikës së Veriut dhe atyre në jug të Europës. Gjatë operacionit, Interpol ka përdorur bazën e gjerë të të dhënave për të verifikuar një seri aktivitetesh ilegale, si vjedhja e dokumenteve të identitetit dhe e automjeteve.

Zyrtarë nga Algjeria, Franca, Italia, Maroku, Spanja dhe Tunizia kanë kryer operacionet në terren. Megjithatë, agjencia policore nuk ka dhënë detaje mbi të dyshuarit si anëtarë të grupeve militante.

Vetëm këtë javë, disa qindra emigrantë mbërritën në Itali dhe Greqi, shumica e të cilëve me varkë nga Libia dhe Turqia./ABC News Albania 24/7