TIRANË- Bojkot apo jo bojkot? Komisioni i Posaçëm për reformën territoriale u konstitua këtë të martë, por demokratët nuk morën pjesë në mbledhjen e parë të tij.
Ata e argumentuan mungesën si qëndrim politik për mohimin e të drejtave të opozitës në parlament edhe pse deputetë të PD ishin të pranishëm në komisionet e tjera parlamentare pas urdhrit të Sali Berishës. Për ta një thirrje e kishte bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku.
“Më vjen keq që sot anëtarët e PD nuk erdhën në këtë takim dhe shpresojmë që kjo të mos jetë një problem dhe në vazhdimësi të kemi bashkëpunim dhe ndërveprim. Jemi të hapur për të bashkëpunuar me opozitën siç u tregua me të gjitha kërkesat që opozita pati për krijimin e këtij komisioni dhe janë adresuar nga mazhoranca”, tha Mazniku.
Mazniku dha edhe direktivat se ku do të bazohen diskutimet për ndryshimet në hartën e re territoriale.
“Elementët që do të ndryshojnë impaktojnë në funksionimin e pushtetit lokale kështu që na duhet ndërveprim mes bashkësisë vendore dhe asaj qeveritare. Duhet ti kemi ndryshimet gati në mënyrë që institucionet tona të jenë të përgatitura në momentin që do bëhemi pjesë e BE”, u shpreh Mazniku.
Në mbledhjen e para mungoi partia demokratike por jo aleatet e saj. Haxhinasto dhe Dule kërkuan që para se të nisin diskutimet për reformën, të analizohen efektet që ka sjellë reforma e mëparshme. Ndërsa plani dhe agjenda e punës së komisionit do të prezantohet mbledhjen e radhës, për shkak të mungesës së opozitës. Komisioni I posaçëm I territoriales do të bashkë-drejtohet dhe ka barazi anëtarësh.
/abcnews.al/

