Deri në 6.76 milionë njerëz mund të jenë prekur nga tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën të mërkurën, bëri të ditur të premten Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e Kombeve të Bashkuara.
Sipas IOM, shifra përfshin rreth 2 milionë banorë të kryeqytetit Karakas, ndërsa vlerësimet pritet të përditësohen me daljen e të dhënave të reja mbi shkallën e dëmeve.
Bilanci i fundit i autoriteteve tregon se numri i viktimave ka arritur në 589, ndërsa 2,980 persona kanë mbetur të plagosur.
Zëdhënësja e IOM, Zoe Brennan, tha se ndërtesa të shumta janë shembur dhe infrastruktura kritike ka pësuar dëme të mëdha, duke kufizuar aksesin e popullsisë në shërbimet bazë.
“Përparësia jonë është kërkimi dhe shpëtimi i personave që mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja,” deklaroi Brennan.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se numri i personave të zhvendosur pritet të rritet, ndërsa ekipet humanitare vazhdojnë të vlerësojnë përmasat e katastrofës dhe gjithnjë e më shumë komunitete detyrohen të largohen nga zonat e prekura.
Ndërkohë, agjencitë e OKB-së raportojnë se rreth 20 spitale të urgjencës në shtetet La Guaira, Miranda, Aragua, Carabobo, Falcón, Zulia, Yaracuy dhe Lara, si edhe në rajonin e Karakasit, kanë pësuar dëmtime, duke vështirësuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të lënduarit dhe banorët e prekur.
/abcnews.al/



