Tërmeti shkatërrues në Afganistan, të mbijetuarit luftojnë për ushqim dhe strehim mes frikës së kolerës

schedule13:48 - 24 Qershor, 2022

schedule 13:48 - 24 Qershor, 2022

Të mbijetuarit e tërmetit vdekjeprurës në Afganistan thonë se nuk kanë asgjë për të ngrënë, nuk kanë strehë dhe kanë frikë nga një shpërthim i mundshëm i kolerës.

Gazetari Secunder Kermani i BBC-së ka raportuar nga provinca Paktika, më e goditura nga fatkeqësia.

Duke kërkuar nëpër rrënojat, në atë që ka mbetur nga shtëpia e tij, Agha Janit i mbushen sytë me lot.

“Këto ishin këpucët e djemve të mi”, thotë ai, duke fshirë pluhurin prej tyre. 

Tre fëmijët e tij të vegjël dhe dy gratë u vranë nga tërmeti teksa flinin.

Kur lëkundjet e tërmetit u ndjenë në orët e para të së mërkurës, Aga Jani nxitoi drejt dhomës ku qëndronte familja e tij.

“Por gjithçka ishte nën rrënoja,” i tha ai BBC-së. 

“Edhe lopata ime. Nuk mund të bëja asgjë. Unë u thirra kushërinjve të mi për të ndihmuar, por kur nxorëm familjen time, ata tashmë ishin të gjithë të vdekur.”

Zona rreth fshatit Agha Jan në rrethin Barmal, provincën Paktika, është një nga më të prekurat nga tërmeti, në të cilin besohet se janë vrarë rreth 1000 njerëz dhe 3000 të tjerë janë plagosur.

Habib Gul ishte matanë kufirit në qytetin pakistanez të Karaçit, duke punuar si punëtor, kur dëgjoi lajmin. Ai u kthye me nxitim në fshatin e tij në Barmal për të zbuluar se 20 nga të afërmit e tij ishin vrarë – 18 prej tyre në një shtëpi.

Nga lart, helikopterë ushtarakë rrotullohen nëpër qiell. Ata nuk po transportojnë më viktima të plagosur, por po dërgojnë furnizime.

Zyrtarët talebanë thanë se operacioni i shpëtimit ka përfunduar.

Nevoja më urgjente është strehimi për qindra familje të mbetura pa shtëpi./Abcnews.al/

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!