Tërmeti që shkundi botën e krimit/ U plagos në pritën që ngriti vetëm, më pas rrëfeu gjithçka

schedule19:48 - 11 Gusht, 2023

schedule 19:48 - 11 Gusht, 2023

Fundin e marsit të vitit të kaluar, Nuredin Dumani që ishte në kërkim për disa ngjarje të rënda kriminale, sërish ishte nisur drejt Elbasanit për të kryer një tjetër vrasje.

Por u ndesh me nje prite, që i ishte ngritur atij vetë dhe nga shkëmbimi i zjarrit, Dumani mbeti i plagosur. Me plagë në trup u arrestua në Fier nga policia me bashkëpunëtorin e tij Henrik Hoxhajn. Pas këtij momenti gjithçka ndryshoi.

Plumbi që për pak i mori jetën Dumanit, u kthye në plumbin e artë, që përcaktoi dhe ndryshoi fatin e disa grupeve kriminale në vend. Operacioni që mori të njëjtin emër, u bazua tek rrëfimet e të penduarit më të madh të drejtësisë dhe parandaloi një sërë krimesh në vijim.

Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, zbardhën plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit.

Në këto 27 krime, Prokuroria e Posaçme arriti të zbardhë vrasjet e Bujar Çelës, Emiljano Ramazanit, Regis Runaj, në Elbasan, si dhe ekzekutimet e vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë të ndodhura në Durrës.

Në rrëfimin e tij, Dumani përmendi emra të personazheve të tjerë të botës së krimit. Ai deklaroi se Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro në këmbim të eliminimit të kundërshtarit të tij, Indrit Dokles, i sapoliruar nga burgu. Për të kryer krimin, ai thoshte se kishte marrë 100 mijë euro nga Martinaj, por vrasjen e Dokles, Dumani e kishte konsideruar shumë të vështirë dhe nuk arriti ta kryej.

Thëniet e Dumanit për këtë episod, u faktuan nga SPAK edhe me dëshmitëë që ka dhënë bashkëpunëtori tjetër në disa ngjarje, Henrik Hoxhaj.

Për dy vrasjet e ndodhura në Elbasan, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, Dumani ka treguar se janë organizuar prej tij me kërkesë të Erjon Alibejt, ky i fundit një tjetër i arrestuan nga SPAK.

Një sërë vrasjesh e atentatesh që tronditën vendin përgjatë vitit 2020, Dumani thoshte se po kryeheshin për hakmarrje. Sipas tij, i tillë ishte eleminimi i Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës. Për këtë ngjarje, Dumani tregoi se kishte marrë hakun e Klevis Kapllanit, për të cilin dyshonte se e kishte vrarë ish shoku i tij Talo Çela dhe vëllezërit Manhasa.

Deklarimet e Dumanit, që mori edhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë zbardhën po ashtu një sërë tentativash vrasje, vjedhje e grabitje, perfshirë dhe rastet e përsëritura të grabitjes në Rinas.

Mbyllja e dosjes së Dumanit është një moment i rëndësishëm për drejtësinë shqiptare. Tashmë në gjykatë do nisë ai që mund të quhet maksiprocesi i botës së krimit, e cila mori kështu goditjen më të fortë, prej krerëve të saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!