Tërmeti në Turqi, Zukali: Situata e përkeqësuar, një shqiptar kishte humbur familjen e tij

schedule16:23 - 8 Shkurt, 2023

schedule 16:23 - 8 Shkurt, 2023

Bora Zukali nga VATRA e shqiptarëve në Stamboll u shpreh se situata vazhdon të përkeqësohet në Turqi për shkak se kanë humbur shpresat për të gjetur të mbijetuar dhe për më tepër që operacioni i kërkim shpëtimit është i vështirë për shkak të temperaturave të ulëta.

Në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, Zukali tha se në zonat ku jetojnë shqiptarët nuk ka pasur banesa të dëmtuara. Ai shtoi se së fundmi ka marrë një lajm për një person me origjinë shqiptare, i cili kishte humbur nënën, babanë dhe djalin e tij.

“Kur ra tërmeti komunikova me shqiptarë të Malatya-s dhe Adanës. Të tërë ishin mirë dhe në fshatrat shqiptare nuk kishte probleme sepse shtëpitë ishin një ose dykatëshe dhe nuk ishin prishur nga tërmeti. Morëm një lajm për shqiptarët e Sanxhakut në Seyhan, dy apartamente të tyre ishin shembur.

Morëm së fundmi një lajm të hidhur nga Kahramanmaraş për një familje shqiptare. Një person me origjinë nga Manastiri, kishte humbur nënën, babanë dhe djalin. Tre persona nga një familje kishin humbur dhe përcolla ngushëllimet e mia më të sinqerta.”, tha ai./abcnews.al