BE ka njoftuar një konferencë donatorësh për të mbledhur fonde për Turqinë dhe Sirinë, ndërsa vazhdojnë të përballen me pasojat e rënda të tërmetit të fuqishëm. Shefja e bllokut, Ursula von der Leyen, njoftoi konferencën në një deklaratë të përbashkët pas një telefonate me kryeministrin suedez Ulf Kristersson.
Ngjarja do të mbahet në mars në Bruksel. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen theksoi se prioriteti i bllokut tani është të “punojë gjatë gjithë kohës për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur, pasi shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja, në ndërtesat e shkatërruara”.
Në një njoftim për shtyp të mërkurën, BE tha se operacioni aktual është një nga “operacionet më të mëdha të kërkim-shpëtimit” të kryera përmes Mekanizmit të saj të Mbrojtjes Civile. Deri më tani, blloku tha se ka dërguar 31 ekipe kërkimi dhe shpëtimi dhe 5 ekipe mjekësore nga 23 vende në Turqi dhe Siri.
Autoritetet siriane i bënë thirrje BE-së të aktivizojë Mekanizmin e saj të Mbrojtjes Civile të mërkurën në mëngjes, ndërsa homologët e tyre turq i kërkuan bllokut të aktivizojë mekanizmin mbështetës të hënën.
Blloku gjithashtu u zotua t’i sigurojë Turqisë 3 milionë euro ndihmë. Siria do të marrë 3.5 milionë euro ndihmë emergjente. BE tha se financimi i fundit do të jetë për të strehuar personat e prekur, për t’i mbështetur me sende të ndryshme shëndetësore, si dhe për të mbështetur operacionet e kërkimit dhe shpëtimit./abcnews.al