Tërmeti në Klos, ministri i Mbrojtjes së Kosovës telefonon Peleshin: E kemi përgjegjësi vëllazërore t’u mbështesim

schedule08:55 - 16 Janar, 2023

schedule 08:55 - 16 Janar, 2023

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj ka kontaktuar me homologun e tij në Shqipëri, Niko Peleshin pas tërmetit të mbrëmjes së djeshme me epiqendër afër Klosit. Mehaj ka ofruar gadishmërinë për të ndihmuar me të gjitha kapacitetet nëse është e nevojshme.

“Nga autoriteti im zyrtar dhe përgjegjësia vëllazërore, i shpreha gatishmërinë e plotë dhe të menjëhershme për mbështetje në reagim me të gjitha kapacitetet tona specialistike operacionale të FSK-së. Përveç mirënjohjes vëllazërore, Ministri Peleshi më gëzoi me informacionin se aktualisht gjendja është nën menaxhim dhe kontroll të strukturave të Mbrojtjes Civile të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkisë së Klosit.

Së bashku me Ministrin Peleshi do të jemi në komunikim intenziv, si gjithmonë, për monitorim të situatës në vazhdim. Në të mirë e në vështirësi jemi bashkë si gjithmonë!?????“, ka shkruar Mehaj.

Tërmeti ka shkaktuar panik te banorët duke dalë jashtë shtëpive. Lëkundjet janë ndjerë në të gjithë vendin. Pas tërmetit 4.7, janë regjistruar disa pasgoditje, intensiteti i të cilave ka qenë në ulje të vazhdueshme. Sipas informacioneve të para janë raportuar disa dëme të lehta në disa fshatra të Klosit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!