Tërmeti, hetime për ndërtimet në Tiranë dhe Durrës

schedule14:45 - 2 Dhjetor, 2019

schedule 14:45 - 2 Dhjetor, 2019

Në Shqipëri, prorkuroritë e Tiranë dhe Durrësit njoftuan se kanë nisur prej disa ditësh hetimet lidhur me ndërtesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit të fortë që goditi vendin, të martën e shkuar.

Kryeqyteti dhe zona e Durrësit janë më të prekurat nga tërmeti. “Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve.

Veprat penale që po hetohen janë ato të “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku do hetohet për organet qe kanë miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë, “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, si dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, neni 199/b i Kodit Penal”, shpjegon Prokuroria e Tiranës e cila shpjegon se i është kërkuar “informacion Bashkisë së Tiranës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga termeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim.

I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore”.

Prokuroria e Durrësit nga ana e saj, thotë se “dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave pergjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nepunësit shtetëror të ngarkuar me mbikqyerjen e këtyre ndërtimeve”.

Kjo prokurori ka rregjistruar çështjen për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”.

Të dhëna ende paraprake flasin për të paktën afro 900 pallatet dhe mbi 5100 banesat e dëmtuara nga tërmeti. Në Tiranë rezultojnë për momentin 640 pallate dhe 4 mijë banesa të dëmtuara, nga të cilat 371 pallate dhe afro 2500 banesa të dëmtuara rëndë.

Në Durrës, numri rezulton më i ulët, por vetëm për shkak se këtu procesi i verifikimit ka nisur me vonesë, ndërsa ditët e para vëmendja ishte përqëndruar te njerëzit e mbetur nën rrënoja. Në këtë qytet për momentin rezultojnë 185 pallate dhe afro 730 banesa të dëmtuara, nga të cilat 38 pallate dhe 620 banesa të prekura rëndë.

Po sot, gjatë ditës presidenti Ilir Meta mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës. Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”, u shpreh presidenti Meta, përmes një postimi në Facebook, në përfundim të takimit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!