Tërmeti do të “dobësojë” ekonominë, BB apel qeverisë: Krijoni ambient konkurues për investimet e huaja

schedule16:35 - 30 Janar, 2020

schedule 16:35 - 30 Janar, 2020

Tërmeti dhe mungesa e investimeve janë kthyer në një ngërç për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Pavarësisht se qeveria parashikon një rritje ekonomike 4.1% në 2020 parashikimet e institucioneve ndërkombëtare janë më pesimiste dhe sipas Bankës  Botërore rritja parashikohet të jetë vetëm 3.5%.

Gjatë një prezantimi të mbajtur në Forumin Ekonomik në Tiranë Banka Botërore i ka bërë apel qeverisë që të përmirësojë klimën e të bërit biznes si dhe të rrisë investimet në infrastrukturë, arsim e shëndetësi. Sipas Hilda Shijakut ekonomiste e Bankës Botërore, Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve buxhetore për infrastrukturën  në Europë.

Fenomente e fundit si tërmeti  i 26 nëntorit por edhe përmbytjet do të kenë efekte negative pasi rrisin rreziqet fiskale duke krijuar presione e trysni dhe e bëjnë politikën fiskale të paparshikueshme. Ndërsa  ekonomia duhet të shkëputet nga reformat e nisura. Është e rëndësishme të merren masa për modernizimin e mjedisit të biznesit dhe financimit të tyre. Një aspekt që dua të përmend është edhe rritja e instrumentave financiare. Shqipëria ka hendeqe në infrastrukturë dhe përsa i përket zhvillimit njerëzor apo fuqisë punëtore. Hendeku i Shqipërisë përsa i përket investimeve në infrastrukturë është sa gjysma e asaj në vendet e Europës e po ashtu edhe në arsim e shëndetësi”, tha Hilda Shijaku.

Edhe Dhoma Amerikane ka ngritur si shqetësim impaktin nga tërmeti në ekonomi. Presidenti Enio Jaço i kërkoi qeverisë një reformë të vërtetë për thithjen e investimeve.

“Investimet krijojnë tregje të reja pune, mundësi biznesi dhe rrisin konkurencën. Por ato janë bërë edhe më kritike se kurrë, për arsye të reduktimit të pritshëm të 2 projekteve të mëdha, TAP dhe Devoll – si dhe pasojave të tërmetit, i cili sipas reagimeve që ne kemi marrë nga anëtarët tanë do të ndikojë në uljen e shpenzimeve konsumatore si dhe reduktimin e të ardhurave. Reforma për Investimet është e rëndësishme, jo vetëm sepse renditemi të fundit në rajon por ajo është thelbësore për potencialet e mëdha që ne kemi dhe që investitorët mund të shfrytëzojnë. Është i rëndësishëm  krijimi i një ambienti më konkurrues dhe tërheqës për investimet e huaja. Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë fituar konkurrencën rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Këtu ne dështojmë”, theksoi Jaço.

Nëse shohim renditjen krahasuar me vendet e rajonit në raportin e Doing Busines  “2020”:  Shqipëria është e 82-ta në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë (përveç Bosnjës e cila ka kushte të tjera gjeopolitike) renditen ndjeshëm më lartë. Mali i Zi renditet i 50-ti, Kosova e 57-ta, Serbia në vendin e 44, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta. Në Forumin Ekonomik të Tiranës morën pjesë një sërë personalitetsh të larata nga bota e ekonomisë dhe financave midis të cilësve kryeministri Edi Rama dhe  Ministrja e Ekonomisë dhe Financës, Anila Denaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!