ABC STORY/ Tërmetet, si na ka ndëshkuar historia

schedule23:38 - 29 Nëntor, 2019

schedule 23:38 - 29 Nëntor, 2019

Tërmeti i 26 nëntorit i gjunjëzoi shqiptarët.

Ata e paguan me gjak, me jetën e fëmijëve dhe të të afërmve, si dhe me dëme të pallogaritshme ekonomike, këtë goditje të natyrës.

Por më e keqja është se toka nën këmbët e tyre vazhdon të lëvizë. Goditjet sizmike nuk kanë të sosur, teksa një pjesë e tyre sërish janë të frikshme.

Por çfarë po ndodh? Përse po lëviz nëntoka e Shqipërisë?

Çfarë thotë shkenca për rrezikun e përsëritjes së tërmeteve shkatërruese?

Tërmetet, në të gjithë botën ndodhin përgjithësisht pranë pikëtakimit të pllakave tektonike, të cilat lëvizin ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme nën ndikimin e nxehtësisë së bërthamës së tokës.

Shqipëria gjendet në kufirin e përplasjës së dy pllakave tektonike, – mikropllakës Adriatike dhe pllakës Euro-aziatike.

Pikërisht fërkimi apo përplasja, e përcaktuar në thellësinë deri në 40 kilometër, e mikropllakës Adriatike, me orogjenin shqiptar, shkakton edhe pothuaj të gjitha tërmetet që ndihen në territorin tonë.

Zona e Durrësit, është zona më aktive sizmike, kjo për shkakun se, jo vetëm që ndodhet në ballë të frontit të kontaktit mes pllakave tektonike, por përbëhet edhe nga formacione sedimentare të paqëndrueshme.

Për rrjedhojë historia flet për një numër të madh tërmetesh shkatërrues.

Pikërisht një historik të plotë të tërmeteve më të mëdhenj të ndodhur në trojet shqiptare, pasojat nga se shkaktohen dhe shkallën e rrezikshmërisë, trajton dokumentari më i ri i ciklit ABC STORY, që do të shfaqet sot në mbrëmje, në orën 22:20, në televizionin ABC NEWS. /abcnews.al