Tërhiqnin para me karta të klonuara, arrestohen në Tiranë dy rumunë

schedule11:13 - 26 Korrik, 2019

schedule 11:13 - 26 Korrik, 2019

Arrestohen ne Tiranë dy shtetas rumunë, të cilët kishin përfituar shumë të konsiderueshme parash, nëpërmjet kartave të kreditit të klonuara. Gjatë kontrollit, policia u gjeti disa nga këto karta, pajisje të tjera elektronike, si edhe para kesh.

Dy rumunë kanë rënë në pranga të Policisë së Shtetit, nën akuzën e mashtrimit kompjuterik.  Ata dyshohet se tërhiqnin shuma të mëdha parash me karta të klonuara Kanadeze dhe Britanike.

Arrestimet u bënë pas denoncimit të një banke të nivelit të dytë se në bankomatet e tyre, persona të paidentifikuar kanë përdorur 10 karta të klonuara. Pas verifikimeve, u prangos kreu i grupit 37-vjeçari rumun Aleksandër Boevan si dhe u ndaluan dy anëtar të tjerë të grupit me origjinë shqiptare, por banues në Rumani.

Nga hetimet e Seksionit për Krimin Kibernetik ka rezultuar se Boevan ka pasur rolin kryesor në klonimin e kartave të kreditit, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendin e tij të origjinës. Ndërkohë, policia u ka kërkuar informacion dhe po verifikon edhe banka te tjera të nivelit të dytë nëse kanë rënë pre e mashtrimeve të grupit të drejtuar nga Aleksandër Boevan. Burimet bëjnë me dije se ende nuk janë zbuluar anëtarë të tjerë të grupit dhe se, mund të jenë larguar jashtë vendit pak ditë para se të ndodhte operacioni në Shqipëri. Gjatë kontrollit u gjendën 3 telefona të markave të ndryshme, 8 karta bankare, një sasi parash, Pajisje për shkrues kartash magnetike dhe një Laptop.  /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!