Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj bëri një hap pas. Pasi iu drejtua Komisionit të Venecias, ajo thirri këtë të enjte mbledhjen e gjyqtarëve për të deklaruar përfundimin e mandatit të saj.
Ervin Karamuço shprehu keqardhje për këtë që ndodhi, pasi siç tha ai, çdo gjë ishte përcaktuar saktë në shkresa. Në emisionin “Real Story” në ABC News, eksperti tha se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese që duhet ta njohë më mirë kushtetutën, nuk mund që të gjejë hapësira me qëllim për të mbajtur atë post.
Sipas tij, duhet të ketë një nivel më të lartë përzgjedhjeje të atyre që konkurrojnë për poste të larta të institucioneve të drejtësisë.
“Ndjej keqardhje të mëdha për këtë që ndodhi. Ishte furtunë në gotë uji për më tepër që ishte përcaktuar edhe në shkresat përkatëse. Kishte burra të vjetër që respektonin kushtetutën e ligjin, sot jemi në një gjeneratë të papërgjegjshme dhe mënyrën e shëmtuar se si u mbyll gjithë kjo sagë që nuk kishte të bënte fare as me Komisionin e Venecias dhe as me kushtetutën. Një kryetare që duhet ta njohë më mirë Kushtetutën dhe gjen hapësira si e si për të mbajtur atë kolltuk. Është vonë tani për të reaguar në lidhje me zgjedhjen e anëtares dhe më pas kryetaren e GJK. Ka pasur në KED debate për shkak të mospasjes në dosje të asnjë prej atyre dokumenteve dhe kërkimeve shkencore në profilin kushtetues. Profili i saj ka qenë financiaro-bankar. Debatet nganjëherë janë në një tjetër kaq dhe vendimmarrja është në një kah tjetër. Ka ndodhur herë pas here në këto organe kolegjiale dhe fundi ishte ky. Duhet të jenë të kujdesshëm për mënyrën se si zgjedhin kritetet, integritetin. Duhet parë edhe vetë background i vetë personave që përfaqësojnë, sepse mund të ndodhin raste të tilla shumë të shëmtuara që edhe ata mbajnë përgjegjësi. Reforma në drejtësi i kushtoi rëndësi sistemit por nga ana tjetër, tashmë edhe për shkak të këtyre shembujve të këqij, duhet të fokusohet më shumë edhe te individi. Kë po promovojnë dhe kush duhet të marrë këto detyra. Kat ë bëjë edhe me moshën, pjekurinë, integritetin dhe formimin. Duhet ngritur niveli i përzgjedhjes dhe kërkesës së llogarisë ndaj personave që kanë ambicie për të garuar në institucionet më të larta kushtetuese të këtij shteti.“, u shpreh Karamuço./abcnews.al