Tërhiqen bllokadat në Mitrovicë të Veriut dhe Rudarë

schedule19:15 - 13 Tetor, 2021

schedule 19:15 - 13 Tetor, 2021

Bllokadat e vendosura në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë, përkatësisht në vendbanimin në Rudarë, në Komunën e Zveçanit si dhe ato të vendosura në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, janë tërhequr në orët e mbrëmjes të së mërkurës.

Këto bllokada janë vendosur më herët gjatë 13 tetorit nga serbët lokalë në shenjë pakënaqësie ndaj aksionit të Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave.

Aksioni është zhvilluar në disa qytete të Kosovës, përfshirë ato në veri.

Deri më tani, sipas autoriteteve, janë lënduar dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq janë arrestuar ose ndaluar tetë persona. Po ashtu, dhjetë persona të dyshuar për përfshirje me kontrabandë me mallra, janë shpallur në kërkim.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se gjatë aksionit janë sekuestruar mallra të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë. Prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë”, ka thënë Sveçla./REL

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!