Njoftimet për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania nuk kanë kuptim nga ana ushtarake, por kjo nuk i intereson egocentristit Trump. Nga Europa kërkohet më shumë iniciativë për mbrojtjen, shkruan Bernd Riegert.
Kërcënimi rrinte varur prej kohësh, tani duket, se presidenti amerikan po e merr seriozisht. Donald Trump kërkon me sa duket të hakmerret, për atë që Gjermania nuk vë në përdorim sa duhet mjete për buxhetin e mbrojtjes, sipas tij. Ky hap i presidentit qejfprishur është shumëfish i gabuar.
Nga pikëpamja ushtarake tërheqja e 9.500 ushtarëve amerikanë nuk ka kuptim. Pas saj nuk shihet madje as edhe ndonjë strategji. Trupat amerikane veprojnë në thelb në kuadër të NATO-s për komandon e Europës dhe Afrikës të ushtrisë amerikane. Ato kanë bazën ushtarake Ramstein, një spital dhe një shesh trajnimi dhe janë shtylla të rëndësishme të arkitekturës së NATO-s, por nuk kanë ndonjë rol të madh në mbrojtjen e Gjermanisë në kuptimin e ngushtë.
Nëse tani një pjesë e ushtarëve transferohet në Poloni, dhe pjesa tjetër në SHBA, atëherë kryekomandanti i zigzageve Trump i dobëson aftësitë e ushtrisë së tij dhe aleancës transatlantike. Pra bëhet fjalë vetëm për një vendim politik, për të ushtruar presion ndaj aleatit të tij, Gjermanisë.
Kremlini gëzohet, aleatët jo
Në një aleancë duhet të bashkëpunohet me mirëbesim dhe jo të bëhen presione dhe aksione të nxituara. Trump as nuk e konsideroi të nevojshme ta informonte zyrtarisht qeverinë gjermane, si e parasheh marrëveshja për stacionimin e trupave.
E vërtetë: Gjermania nuk do ta arrijë qëllimin, për të cilin është rënë dakord në NATO që në vitin 2014, pra të shpenzojë deri në 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Këtë SHBA dhe aleatët mund ta kritikojnë, por tërheqjen e trupave ata dobësojnë vetveten.
Presidenti rus do të gëzohet, që fuqia lidere ushtarake e NATO-s, SHBA ndez grindje brenda radhëve të veta. Një president më të mirë se Trumpin e paaftë nga ana strategjike, Vladimir Putin nuk mund të gjejë. Putin do bënte çdo gjë, që të futej një pykë në NATO.
Edhe brohoritja në Poloni është e hershme. Zhvendosjen e trupave në drejtim të Lindjes, Varshava e shikon si shpërblim për qeverinë nacional-konservatore për shkak të besnikërisë ndaj Trump. Por ajo sjell pakënaqësi brenda pjesës europiane të NATO-s, dhe nga ana ushtarake, si e thamë, nuk sjell ndonjë gjë, sepse në rast të ardhjes, nuk do të vijnë trupa luftarake, por shtabe ushtarake. Zhvendosja afatgjatë mund të shkelë edhe Aktin Rusi-NATO dhe me këtë të provokojë zemërim të ri në Kremlin.
Ky veprim i presidentit amerikan që në shtëpinë e vet ndodhet nën presion të madh, mund ta interpretosh edhe si pjesë të fushatës zgjedhore. Donald Trump kishte premtuar para katër vjetësh, se do të kthejë në SHBA “miliona dollarë nga NATO”.
Kjo nuk mund të funksiononte natyrisht, sepse në NATO secili paguan për trupat e veta. Stacionimi i trupave amerikane në Europë apo diku tjetër nuk është se bëhet me tarifa që ato të mund të kërkoheshin tani. Megjithatë Trump dëshiron t’ua bëjë të besueshme përkrahësve të tij të keqinformuar, se ai i bën aleatët të marrin vallen siç do ai.
Ky episod tregon sërish, se aleatët europianë zor se mund të kenë besim tek kryekomandanti në Shtëpinë e Bardhë. Një zile zgjimi për europianët, që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e vet dhe vërtet të investojnë për këtë më shumë para. /DW