Marc-Andre Ter Stegen po zhvillon sezonin e gjashtë me Barcelonën, por ky mund të jetë i fundit për të në “Camp Nou”. Lajmi i bujshëm vjen nga Spanja. Catalunya Radio raporton se portieri gjerman është mërzitur me klimën aspak pozitive që po qarkullon te kampionët e Spanjës.
Edhe pse kontrata i përfundon në verën e vitit 2022, 27-vjeçari pritet t’i kërkojë drejtuesve që ta shesin në fund të sezonit. Ter Stegen është një ndër më të mirët në botë në rolin e tij dhe Juventusi është gati të përfitojë nga kjo situatë.
Bardhezinjtë nuk mund të humbasin shansin për të siguruar shërbimet e një “gardiani” të madh dhe kanë kontaktuar Barcelonën për të mësuar më shumë rreth situatës së Ter Stegen. Javët e ardhshme do të jenë decizive, teksa duhet mësuar nëse gjermani vazhdon të jetë i bindur për të provuar një aventurë të re apo do të vazhdojë të mbrojë portën e katalanasve. /abcnews.al