Një letër që është bërë virale në rrjete sociale, ku përfshihen emrat e disa mjekëve të njohur, në të cilën theksohet se janë kundër marrjes së vaksinës kundër Covid-9 ka sjellë reagimin e tyre. Dy prej tyre, Edmond Driçi dhe Gerald Kola ishin të ftuar këtë të hënë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, të cilët përgënjeshtraun letrën duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me të.
Driçi tha se miraton çdo përpjekje që po bëhet kundër përhapjes së virusit. “Oponencat e mia kanë qenë dhe në formën e pyetjeve që ia kam drejtuar dhe OBSH. Ndoshta tek këto fakte dhe risitë që kam transmetuar tek shkrimet e mia është konsideruar kështu.
Unë jam pro çdo përpjekjeje njerëzore për përmirësimin e cilësisë së shëndetit dhe jetëgjatësisë së njerëzimit. Çdo lloj produkti mjekësor që përdoret për efekt terapeutik. E mira është që t’i sugjerohet pacientit në nevojë si çdo produkt në treg. Dhe vaksina duhet të jetë një produkt tregu.”, tha Edmondi.
Ndërkaq Taulant Muka, në një lidhje me Skype mohoi të ketë dijeni mbi këtë letër ndërsa shtoi se është pro bërjes së vaksinës por nga ana tjetër kundërshton marrjen me detyrim të saj. “Distancohem nga kjo letër për sa kohë është përdorur emri im pa miratim. Të jesh kritik nga ana shkencore nuk të bën anti vaxer. Shkenca është pikërisht kritika dhe unë jam person që punoj në shëndetin publik, jam pro vaksinës.
Disa herë e kam rekomanduar tek personat që janë grupmosha të rrezikuara mbi 65 vjeç apo ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Nga ana tjetër, ndahem nga ajo pjesë e studiuesve që kërkon përdorimin me detyrim të vaksinave. Covidi nuk i prek të gjithë njësoj.“, tha Muka. /abcnews.al