Tentuan sulm në Shqipëri: Kush janë forcat “Quds” dhe komandimi nga “Zoti i Luftës”

schedule14:45 - 23 Tetor, 2019

schedule 14:45 - 23 Tetor, 2019

Policia shqiptare njoftoi gjatë ditës së sotme se ka zbuluar një grup personash me origjinë apo lidhje me Iranin që synonin kryerjen e sulmeve terroriste në Shqipëri.

Gjatë konferencës për shtyp, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu theksoi se grupi përbëhej nga katër persona, të cilët koordinoheshin nga një anëtar i forcave “QUDS”, ish pjestar i grupit opozitar të regjimit iranian, MEK.

Sipas policisë ata kishin dështuar në kryerjen e një sulmi terrorist vitin e shkuar, ndërsa ishin zbuluar sëfunmdi në një tentativë tjetër, raporton abcnews.al.

Por, çfarë janë forcat “QUDS” të Iranit dhe si funksionojnë ato?

Forcat “QUDS” janë regjimenti special i Gardës Revolucionare të Iranit, e cila u ngrit në vitin 1979 për të mbrojtur revolucionin islamik dhe është nën drejtimit ekzekutiv të Ajatollah Khameneit dhe jo Presidentit të Republikës apo ministrit të Mbrojtjes.

FOTO | Zbulohet organizata terroriste, kishin planifikuar sulme në Shqipëri

“QUDS” përdoren kryesisht për operacione specialë, ushtarake apo inteligjence jashtë territorit të Iranit në shërbim të interesave të këtij shteti.

Ato përfaqësojnë shtetin e Iranit në raport me njësitë e tjera të armatosura, siç janë për shembull Hezbullahu apo milicët shiit në Irak dhe Siri. Forcat “QUDS” kryejnë zakonisht operacione ekstra ligjore sa herë që ka nevojë për të ndërhyrë.

Drejtimi
Forcat “QUDS” drejtohen nga Qasim Suleimani, i cili njihet edhe si “Zoti i Luftës” në Lindjen e Mesme, pasi me forcimin e krahut iranian në Irak dhe sëfundmi në Siri, ai udhëheq operacionet ushtarake në të gjithë zonën përmes forcave “QUDS” dhe milicëve shiit, shkruan abcnews.al.

Kush është Qasim Suleimani

Qasim Suleimani është një burrë 61 vjeçar, babai i pesë fëmijëve.

Ai filloi të punonte në ndërtim që në moshën 13 vjeçare për të ndihmuar familjen e tij në Iranin jugor.

Revolucioni islamik i vitit 1979 në Iran e gjeti atë 22 vjeç. Me zellin e moshës dhe bindjet e tij, ai iu bashkua Gardës Revolucionare që u ngrit për të mbrojtur revolucionin e ajatollahëve.

Ai mori drejtimin e Gardës Revolucionare në fund të luftës Iran-Irak në vitin 1988 para se të bëhej drejtuesi i Forcave Speciale të saj, pikërisht ato “Kuds”.

I përkushtuar tërësisht për mbrojtjen e Republikës Islamike, ai është cilësuar si një “martir i gjallë” në vitin 2005 nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Suleimaini është akuzuar nga SHBA-të në vitin 2008 se ishte personi përgjegjës për trajnimin dhe armatosjen e militantëve shiit në Lindjen e Mesme kundër forcave amerikane në Irak.

“Ai mbështet lëvizjen palestineze Hamas si edhe ka armatosur lëvizjet shiite në gadishullin arabik. Soleimani ka lidhje edhe në Turqi dhe e gjitha kjo ka tërbuar monarkitë arabe në Gjirin Persik. Qaseeim Suleimani imponon vullnetin e Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme”, shkruante “The World” në vitin 2017 për të.

“E njeh Sirinë si xhepin e tij dhe ka një njohuri shumë të mirë për Irakun”, tha një burim diplomatik për AFP disa vjet më parë.

Për më tepër, “ai është jashtëzakonisht i respektuar nga njerëzit e tij falë karrierës dhe karizmës së tij”, vijon AFP.

Në vitin 2011, një zyrtar i lartë amerikan i intervistuar nga “Guardian” e krahasoi atë me “Keyser Söze”, heroi i “The Usual Suspects”.  /Përgatiti abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!