Një fugon me klandestinë teksa tentonte të kalonte ilegalisht kufirin në Morinë është ndjekur nga policia, e cila po kryente një operacion për kalim të paligjshëm të kufirit. Pasi u ka bërë shenjë për të ndaluar, shtetasit sirianë nuk i janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar. Më pas kanë zbritur nga fugoni dhe ndjekja nga policia është bërë në këmbë.
Burime për ABC thanë se i riu sirian ka mbetur i plagosur me armë në pjesën e brinjëve dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Janë ndaluar dhe po merren në pyetje shtetasit e tjerë sirianë, ndërsa paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia gjatë ndjekjes që policia po u bënte.
Prokuroria, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po hetojnë nëse ka pasur shkelje nga ana e efektivëve të Kukësit në lidhje me rastin. I plagosuri është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa pritet të merret në pyetje edhe vetë i plagosuri, pasi është i vetëdijshëm. /abcnews.al