Tentoi të ngrihej, “ABC” sjell detaje si shpërtheu bombola e oksigjenit në shtëpinë e të infektuarit

schedule19:24 - 17 Nëntor, 2020

schedule 19:24 - 17 Nëntor, 2020

Nga Xhensila Kodra

“ABC” zbulon shkaqet që çuan në spital 72-vjeçarin nga Tirana, që përdorte oksigjen në shtëpi. M.Nonaj i konfirmuar pozitiv me Covid mbrëmjen e 15 Nëntorit ndërsa tentoi të ngrihej nga krevati, ishte mbajtur tek bombola e oksigjenit e cila i ra në tokë.

Përplasja shkaktoi heqjen e tubit të oksigjenit që po përdorej nga i moshuari.  Të alarmuar të gjithë dolën nga banesa duke tërhequr derën, por pa pasur çelësin me vete.

72-vjeçari u dërgua me urgjencë në spitalin Infektiv, pasi kishte mungesë oksigjeni. Djali i të moshuarit lajmëroi shërbimin zjarrfikës nga frika e një shpërthimi të mundshëm në banesën e tij. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar por ajo është tashmë një kambanë alarmi për të gjithë të sëmurët që trajtohen me oksigjen në shtëpi.

Përdorimi i oksigjenit në këto kushte është kundërshtuar ashpër nga mjekët infeksionistë dhe pneumologët. Ata kanë theksuar se bombolat mund të kthehen në rrezik për jetën e njerëzve.

Por si i sigurojnë bombolat e oksigjenit, pacientët me Covid që mjekohen në shtëpi? ABC mëson se ato jepen me qira nga personat që kanë kaluar virusin. Të tjerë e blejnë te saldatorët.

Depozitat mbajnë deri në 37 litra oksigjen të lëngshëm dhe përdorimi i saj zgjat deri në 2 javë. Ndërsa gjeneratori është i nevojshëm për prodhimin e oksigjenit. ABC  mëson se kjo pajisje kushton nga 900 deri në 1200 euro, ndërsa një pjesë e pacientëve e sigurojnë atë me qira.

Në farmacitë gjendet një gjenerator i tillë. Pavarësisht këtyre lehtësive në treg, të sëmurët me covid nuk duhet të përdorin pajisjet e oksigjenit në shtëpi pa rekomandimin e mjekut të familjes./ db/Abcnews.al