Tentoi të kalonte 4 sirianë në Kosovë, arrestohet 21- vjeçari nga Tirana

schedule14:21 - 12 Korrik, 2020

schedule 14:21 - 12 Korrik, 2020

Një 21-vjeçar nga Tirana është vënë në pranga nga policia në Kukës pasi tentoi që të ndihmonte katër shtetas sirianë që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Njoftohet se, K. V.,  është kapur në fshatin Morinë, me automjetin tip “Volkswagen”, me të cilin po transportonte 4 sirianët. I riu kishte si qëllim që, kundrejt pagesës, t’i ndihmonte katër shtetasit sirianë që të kalonin kufirin, në drejtim të Kosovës, në mënyrë të paligjshme.

Po ashtu,  gjatë verifikimit të dokumentacionit rezultoi se ai drejtonte mjetin pa leje drejtimi.

Njoftimi i plotë:

Kukës

Vijojnë kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, në zbatim të planit të përbashkët të masave mes DVP Kukës e Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për dhënie ndihmë shtetasve nga vendet e treta, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit.

Në kuadër të kontrolleve evidentohet dhe arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” kundrejt fitimit dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin K. V., 21 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në fshatin Morinë, me automjetin tip “Volkswagen”, me të cilin po transportonte 4 shtetas sirianë.

Shtetasi K. V., kundrejt fitimit do t’i ndihmonte shtetasit sirianë që të kalonin kufirin në drejtim të Kosovës, në mënyrë të paligjshme.

Gjatë verifikimit të dokumentacionit rezultoi se ai drejtonte mjetin pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”. /abcnews.al/