SHKODËR- Një 39 vjeçar nga Kosova është arrestuar në pikën kufitare të Muriqanit pasi ka tentuar të kalojë drejt Italisë me kartë identiteti italiane të falsifikuar.
“Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. B., 39 vjeç, nga Kosova. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan në dalje të Republikës së Shqipërisë pasi ka tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë, me kartë identiteti italiane të falsifikuar”, raporton policia.
Një tjetër person i shpallur në kërkim për dhunë në familje është arrestuar në Shkodër.
“Nga Seksioni i Hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër u bë ndalimi i shtetasit në kërkim F. P., 31 vjeç banues në Bardhaj, Shkodër, Këtij shtetasi Gjykata e Apelit Shkodër, me vendim nr. 345, datë 30.11.2021, ka vendosur ndryshim e masës së sigurimit personal nga “Arrest në shtëpi“ në “Arrest në burg” për veprën penale Dhuna në familje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme./abcnews.al