Nga Linda Karadaku
Krimi i organizuar, mafia, dhe tentakulat e tyre deri në majat e pushtetit, nuk janë as gjë e re, dhe as e panjohur në Ballkan, veçanërisht duke pasur parasysh pozicionin gjeografik si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit dhe luftërat shkatërrimtare që pasuan rënien e ish-Jugosllavisë. Sociologu hungarez, Balint Magjar, ka thënë se një shtet konsiderohet mafioz kur vetë shteti, në majën e tij, funksionon si një organizatë kriminale. Dhe kjo ka ndodhur më shumë se një herë në Ballkan, kur zyrtarët e lartë të shtetit bëhen lojtarë kryesorë ose liderë të aktiviteteve kriminale. Shteti serb hyn në këtë përcaktim, edhe për atë që bëri gjatë luftrave në ish-Jugosllavi me përdorimin dhe drejtimin e grupeve famëkeqe paramilitare, edhe më pas, pas largimit të Millosheviçit nga pushteti. Roja private të sigurisë, disa të afërt me bandën kriminale serbe Janjiçari apo Jeniçerët, u punësuan për ceremoninë e inagurimit të presidentit serb Aleksandar Vuciç në maj 2017 dhe u panë në kamera ndërkohë që merreshin me gazetarët.
Banda serbe e krimit Janjicari, ose Jeniçerët, e mori emrin nga njësitë elitare të këmbësorisë osmane të përbëra nga djem të krishterë të robëruar nën Perandorinë Osmane. Banda mori edhe një emër tjetër, Principi, sipas Gavrilo Princip, serbit të Bosnjës që qëlloi për vdekje arkidukën Franz Ferdinand në 1914 dhe ndezi zjarrin e Luftës së Parë Botërore. Më 4 shkurt, policia serbe arrestoi drejtuesin e saj, Veljko Belivuk, i njohur si “Velja Telashi” dhe një numër anëtarësh të tjerë nën dyshimin e vrasjes, zhvatjes, rrëmbimit dhe tregtisë së drogës. I formuar në 2013, banda Jenjiçerët, dolën nga baza e tifozëve të klubit të futbollit Partizan të Beogradit, duke u rritur në forcë paralelisht me Partinë Progresive që hyri në qeveri një vit më parë dhe që atëherë ka marrë një kontroll të pushtetit në një shkallë që nuk është parë që nga ditët e Millosheviçit . Lidhjet e bandës me zyrtarët e shtetit, duke përfshirë një ish-zyrtar të lartë të policisë dhe sekretarin aktual të përgjithshëm të qeverisë së udhëhequr nga kjo parti, janë të dokumentuara mirë. Djali 23-vjeçar i Vucic, Danilo, është fotografuar disa herë me anëtarë të ndryshëm të Jenjiçerëve, duke përfshirë edhe atë që ishte ndër të arrestuarit në operacionin policor të 4 shkurtit. Jenjiçerët përdornin në stadiumin e Partizanit një ‘bunker’ të veçantë për vepra kriminale, thanë prokurorët. Tre oficerë policie janë arrestuar nën dyshimin për lidhje me bandën e krimit. Ultrasit e futbollit janë ngulitur në nëntokën kriminale serbe që nga vitet 1990, numri dhe muskujt e tyre janë shfrytëzuar nga partitë politike nacionaliste si Socialistët e Millosheviçit dhe, që nga themelimi i saj, në 2008, nga Progresistët e Vuçiç.
Për publikun serb, megjithatë, më tërheqës ishte rasti i vizitorëve të profilit të lartë në fermën e Koluvijës, përfshi ministrin e brendshëm Aleksandar Vulin, i shoqëruar nga Dragan Sikimiç, drejtor i Agjencisë për Antikorrupsion të Serbisë dhe zyrtarit të lartë të Partisë Progresive Zoran Babiç. Rasti i fermës Jovanjica ishte i një rëndësie të madhe dhe tregonte shkallën e përfshirjes së shtetit në një operacion të paligjshëm të drogës. Një nga avokatët e Koluvijas është deputeti i vjetër i Partisë Progresive Vladimir Gjukanoviç. Kur mori pushtetin në Serbi në 2012, Partia Përparimtare e Vuçiçit, vulosi edhe kontrollin mbi serbët në veriun e Kosovës. Për ta bërë këtë, partia kërkoi ndihmën e dy burrave të dyshuar prej kohësh nga shërbimet e sigurisë serbe për përfshirje në krimin e organizuar, Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç. Veselinoviç ishte një ‘vëzhgues i urës’, një nga një grup serbësh të caktuar për të ruajtur urën mbi lumin Ibër. Ai u arrestua në 2003 për trafik heroine por u lirua nga akuza në 2006. Radoiçiç, ndërkohë, u akuzua për rrëmbimin e një biznesmeni maqedonas në 2009 por u lirua pasi viktima ndryshoi deklaratën e tij në ditën e fundit të gjyqit.
Vucic dhe Progresivët erdhën në pushtet në 2012 me premtimin për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Arrestimi i bandës Jenjiçeri ishte pjesë e luftës së shtetit ndaj krimit, tha Vuçiç më 9 shkurt, duke u zotuar të zbulonte çdo zyrtar shtetëror që kishte ndihmuar grupin. Kryeministrja Ana Brnabic i përshkroi arrestimet si “goditjen më të madhe të krimit të organizuar që nga Operacioni Sablja (Sabër)”, një zinxhir arrestimesh i nisur nga shteti serb pas vrasjes së Gjinxhiç në 2003, në të cilin më shumë se 11,000 persona u ndaluan. Gjinxhiç u qëllua për vdekje nga një snajper që bashkëpunonte me një grup ish-oficerësh të policisë paraushtarake dhe anëtarëve të mafias. Pas arrestimit të Jenjiçerëve, ministri i brendshëm në atë kohë, Aleksandar Vulin tha se policia kishte gjetur një pushkë snajper dhe sugjeroi se ata mund të kishin planifikuar të vrisnin Vuçiçin.
“Mesazhi ynë është se ne i kemi dhënë fund kësaj bande,” tha Vuçiç më 6 mars 2021. “Për ata që mendojnë se e kanë trashëguar [bandën dhe anëtarësinë e saj], unë mund t’u them,” Ju keni mbaruar “, domethënë së shpejti do të jeni pas hekurave ”. Vuçiç kishte lënë të kuptohet një ditë më parë se publiku serb do të tronditej në atë që policia kishte zbuluar. Policia në atë kohë pretendoi se organizatori Veljko Belivuk dhe mbështetësit e tij banditë të klubit Partizani nuk ishin “tifozë të futbollit por kriminelë”, përgjegjës për “krime monstruoze”.
Një muaj më vonë, Vuçiç shtoi se një akuzë e katërt për vrasje po i shtohej rrëmbimit, trafikut të drogës dhe akuzave të tjera të rënda që nga arrestimi i Belivuk, i njohur gjithashtu si Velja Telashi.
Presidenti akuzoi grupin e Belivuk, Jeniçerët, për mbajtjen e një liste të armiqve të saj brenda radhëve të Ministrisë së Brendshme dhe operativëve të shërbimit të inteligjencës. Belivuk mori drejtimin e huliganëve të Partizanit pasi udhëheqësi 26-vjeçar i jeniçerëve, tregtari i drogës Aleksandar Stankoviç, ishte vrarë në Beograd në tetor 2016. Në ditën e arrestimit të Belivukut, policia kontrolloi si Stadiumin e Partizanit ashtu edhe stadiumin e rivalit të ashpër të Beogradit, Crvena Zvezda, dhe raportoi se kishte gjetur armë në stadiumin e Partizanit. Një ish-prokuror dhe gjykatës i gjykatës së lartë tha se Belivuk drejtonte një “ushtri” huliganësh dhe mund të rekrutonte më shumë njerëz sesa klani famëkeq Zemun. Fuqia e kartelit Zemun, i cili u fajësua për vrasjen tronditëse të vitit 2003 në mes të ditës të kryeministrit Zoran Gjingjiç, është zbehur kryesisht që nga ajo kohë, pjesërisht për shkak se në fund i nxiti zyrtarët ta godisnin ashpër në atë që u quajt Operacioni Saber.
Një skandal përgjimesh disa mujore ka nxitur edhe më tej debatin lidhur me implikimet politike të çështjes Belivuk dhe përpjekjet e deklaruara të qeverisë serbe për të luftuar krimin e organizuar. Vuçiç deklaroi në prag të Vitit të Ri se më shumë se 1,500 biseda të tij ose të familjes së tij ishin regjistruar nga agjencia e inteligjencës e vendit. Kryetari i parlamentit Ivica Daçiç, paralajmëroi kundër minimizimit të seriozitetit të përgjimit të paautorizuar dhe sugjeroi se mund të ishin punë e krimit të organizuar.
Pasi Agjencia Serbe e Zbatimit të Ligjit arriti të shkatërronte dy grupet kryesore mafioze, Surçin dhe Zemun, grupe të tjera të vogla u ngritën menjëherë, të lidhura me organizata të mëdha kriminale ndërkombëtare. Sot Serbia përfaqëson qendrën ku gëlojnë organizata mafioze perëndimore dhe lindore. Organizatat e ndryshme ndërkombëtare kriminale, midis të cilave organizatat ruse, kineze, italiane dhe bullgare të mafies thuhet se kanë ngritur “qendra përfaqësuese” në shumë qytete të Serbisë. Në Serbi ka mbi 30 grupe mafioze aktive, shumica e tyre janë në Beograd. Klanet më të organizuara dhe më të fuqishme janë në Novi Beograd. Ata janë të famshëm si për lidhjet e tyre me grupe të tjera në rajon ashtu edhe për lidhjet e tyre me organizatat mafioze të trafikut të drogës në Amerikën Latine. Krimi i organizuar serb ka zgjeruar biznesin e tij mbi Ballkanin, duke arritur në kontinentin Amerikan, Evropën Perëndimore dhe Afrikën e Jugut.
Fuqia e këtyre grupeve është pa dyshim organizimi dhe i njëjti mentalitet i të gjithë anëtarëve, të cilët sillen si anëtarë të një task force. Në të vërtetë, një numër i madh i tyre kanë qenë anëtarë aktivë të njësive famëkeqe speciale të tilla si “Tigrat e Arkanit”, ose të agjencive të inteligjencës. Po kështu, një numër në rritje i organizatave të vogla dhe të mëdha kriminale, si në Itali dhe në Evropë, kanë vendosur të blejnë nga serbët, të cilët blejnë drogë jashtë shtetit, ta transportojnë atë në Evropë dhe ta dorëzojnë “në shtëpi”. Lidhjet me kartelet kolumbiane datojnë që prej mbi 20 vjetësh. Trafikimi ndërkombëtar i kokainës kryhet përmes kanaleve të furnizimit të menaxhuara nga disa qeliza të organizatës të vendosura në Brazil, Argjentinë, Panama, Afrikën e Jugut, Ishujt Kanarie dhe Spanjë.
Kokaina vjen nga Amerika e Jugut drejt Mesdheut, më saktësisht, në Gadishullin Ballkanik, ku disa baza janë ngritur në Kroaci, Mal të Zi, Kosovë, Bullgari dhe Shqipëri. Kokaina kontrabandohet në Evropë kryesisht përmes detit, në anije tregtare nga Amerika e Jugut. Droga në përgjithësi fshihet brenda kontejnerëve midis mallrave të ndryshëm (kafe, lëng frutash, dru etj.)
MALI I ZI
Grupet kriminale të organizuara transnacionale malazeze, të angazhuara kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në Evropë, janë të njohura për luftëra të dhunshme ndër-bandash me të shtëna në të gjithë Evropën dhe dhunë të gjerë në rajon. Aktivitetet kriminale më së shpeshti të lidhura me grupe aktive kriminale të organizuara në Mal të Zi janë pastrimi i parave, trafikimi i drogës dhe prodhimi i drogës. Një malazez dhe një serb me lidhje me një klan kriminel u vranë në një pritë pranë një vile që kishin marrë me qera në fshatin Halikouna në jug të ishullit grek të Korfuzit. Autori ose autorët e panjohur vranë Alan Kozhar, udhëheqësin e një grupi kriminal në qytetin bregdetar malazez të Tivarit dhe serbin Damir Haxhiç, nga Uçiçe. Të dy dyshohet se ishin afër njërit prej dy klaneve mafioze malazeze të quajtur Shkaljari. Koçar dhe Haxhiç ishin bë kërkim nga policia malazeze dhe serbe për përfshirje në vrasje dhe vrasje në tentativë. Kozhar thuhet se ishte një figurë me ndikim në botën e nëndheshme të Ballkanit dhe kreu i një grupi kriminal në qytetin bregdetar të Tivarit. Grupi është i përfshirë në “trafik droge, pastrim parash, zhvatje dhe vrasje”, që synojnë marrjen e përparësisë në aktivitetet kriminale në territore të caktuara. Një vit më parë, dy malazezë të tjerë u vranë në një sulm të llojit mafioz në Greqi. Në një veprim të shpejtë, vrasësit hynë në një restorant në Athinë dhe vranë Igor Dedoviç, një nga udhëheqësit e klanit Shkaljari dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Stevan Stamatoviç, ndërkohë që po hanin drekë me familjet e tyre. Bandat nga Mali i Zi njihen globalisht si klanet Kavaç dhe Shkaljari, të dyja me origjinë nga qyteti bregdetar i Adriatikut, Kotorr. Anëtarët e tyre bënin kontrabandën e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë së bashku, por u ndanë në 2014.
Konflikti u ka marrë jetën dhjetëra njerëzve në vendet e ish-Jugosllavisë dhe më gjerë, ndërsa bandat luftojnë për të kontrolluar rrugët për kontrabandën e kokainës nga Amerika e Jugut për në Evropë, që ka fitime prej 5.7 miliardë eurosh në vit.
Në shtator 2020, spanjollja El Pais, raportonte se në Spanjë ka anëtarë të rreth njëqind grupeve nga Serbia, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bosnja dhe Maqedonia, sipas të dhënave të fundit nga Qendra e Inteligjencës Spanjolle për Kundër-Terrorizmin dhe Krimi i Organizuar. Gazeta raportoi gjithashtu se “bandat serbe po konkurrojnë me grupe Hollandeze dhe Francezo-Algjeriane për kontrollin e trafikut të drogës në zonë: ka të shtëna, rrëmbime dhe veprime të tjera të dhunshme”. Grupet e para arritën në Spanjë në fund të luftës në Ballkan, nga viti 2001 – sipas raporteve të policisë, të cilat thonë se fillimisht ishin bandat shqiptare që vepronin në vend, të specializuar në vjedhje, para se të mbërrinin bandat e drogës nga Mali i Zi dhe Serbia. ”
MAQEDONI E VERIUT
Rreth 46 grupe aktive të organizuara kriminale veprojnë në Maqedoninë e Veriut. Ashtu si shumica e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut është një vend tranzit në rrugën e heroinës nga Afganistani në Evropën Perëndimore, e cila kalon nga Greqia dhe Bullgaria gjatë rrugës për në Serbi. Megjithatë heroina e kapur në Maqedoninë e Veriut, ka shkuar në rënie, nga 24 kg në 2014 në 2 kg në 2018. Por ky vend ka një problem edhe më të madh. Në prill të vitit 2021, u raportua dhënia e pasaportave me identitete të rreme për bosë të krimit ndërkombëtar. Skandali përfshin lëshimin e të paktën 214 pasaportave me identitet të rremë për kriminelët e huaj dhe individët me rrezik të lartë nga Ministria e Brendshme, disa prej të cilëve kanë lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë. Duke ekspozuar thellësinë e skandalit, u publikua edhe një video në të cilën shihen makinat e policisë që shoqëronin një nga njerëzit e krimit të organizuar në Turqi, që mori një pasaportë të rreme identiteti, ndërsa fotot në mediat sociale tregojnë një polic jashtë detyre që vepron si truprojë i të njëjtit njeri, ndërsa ai kalon nëpër rrugët e Shkupit. Në një intervistë për portalin e lajmeve Nezavisen, kryetarja e zyrës maqedonase të Transparencës Ndërkombëtare, Sllagjana Taseva, tha se vendi tani është vendosur në një “listë të veçantë” ndërkombëtarisht për shkak të çështjes. Taseva nënvizoi se hetimi duhet të konfirmojë sasinë e saktë të pasaportave që janë lëshuar, pasi një grup prej të paktën nëntë individësh brenda Ministrisë filluan marrëdhëniet kriminale përmes një ndërmjetësi, i cili është ende në arrati.
ALBANIA
Sipas zyrës së OKB-së për drogën dhe krimin, UNDOC, shumica e dënimeve për krime nga 2013-2018 në Shqipëri ishin për prodhimin e drogës, e ndjekur nga trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Dënimi i 17 personave në 2016 (14 meshkuj dhe tre femra) për krim të organizuar u pasua nga një rënie në vetëm 9 persona në 2017. Të dhënat për vitin 2018 tregojnë dyfishin e dënimeve. Deri tani, shumica e aktiviteteve kriminale të regjistruara përfshijnë prodhimin vendas të kanabisit si dhe trafikimin e drogës. Shqipëria vepron kryesisht si një vend tranzit, veçanërisht për trafikimin e heroinës përgjatë rrugës ballkanike, dmth, përmes Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, në Itali dhe tregjet e tjera në Evropën Perëndimore dhe Qendrore dhe trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut, veçanërisht nga Kolumbia, në Perëndim dhe Evropën Qendrore. Shqipëria është shënuar vazhdimisht si një vend jashtëzakonisht i rëndësishëm për kanabisin që shkon në Evropë. Gjatë periudhës 2014-2018 Shqipëria u përmend nga vendet e tjera evropiane si “vendi i origjinës” kryesore të kanabisit që gjendej në tregjet e tyre, ndjekur nga afër nga Hollanda. Kanabisi shqiptar luan një rol të madh në disa vende të rajonit, veçanërisht në Malin e Zi, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinën, Greqinë, Hungarinë, Austrinë, Italinë, Zvicrën dhe Rumaninë. Për më tepër, Suedia raportoi në mënyrë të përsëritur kanabis të gjendur në territorin e saj kryesisht me origjinë nga Hollanda dhe Shqipëria.
Rëndësia e Shqipërisë si një vend tranzit për kokainën e Amerikës Latine në Evropën Perëndimore, duket se është në rritje. Grupet kriminale të shtetasve shqiptarë kanë fituar rëndësi në trafikun ndërkombëtar të kokainës në një numër vendesh të tjera evropiane gjatë viteve të fundit, duke përfshirë në Itali, Gjermani, Greqi, Zvicër, Belgjikë dhe Austri. Numri i përgjithshëm i personave që kishin shtetësinë shqiptare të arrestuar për trafik kokaine në Evropën kontinentale jashtë Shqipërisë u rrit – siç raportohet nga vendet anëtare në UNDOC, nga 115 në 1998 në 1,935 në 2018. Në shumë raste, dërgesat e kokainës të organizuara nga grupe shqiptare të krimit të organizuar tani anashkalojnë plotësisht territorin e Shqipërisë.
KOSOVA
Trafikimi i drogave të paligjshme është veprimtaria kriminale e organizuar më e regjistruar dhe dominon tregun e paligjshëm në Kosovë. Kosova është e vendosur në degën perëndimore të rrugës së kontrabandës së drogës nga Afganistani në vendet e tjera të Evropës, një nga tre rrugët kryesore në rajonin e Ballkanit. Është një pjesë e rrugëve ndërkombëtare të trafikut të drogës që përdoret kryesisht për trafikimin e heroinës, kanabisit dhe kokainës. Numri i shtetasve të Kosovës të arrestuar për trafik droge në Evropë jashtë territorit u rrit nga 102 në 2014 në 269 në 2016 para se të binte përsëri në 139 në 2017 dhe 61 në 2018. Shumica e personave u arrestuan gjatë periudhës 2012-2018 në Zvicër (460 ), pasuar nga Austria (96), Sllovenia (61), Gjermania (56) dhe Shqipëria (50) si dhe, në një shkallë më të vogël, në Maqedoninë e Veriut, Hungari, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Bullgari. Aktiviteti i dytë më i zakonshëm kriminal i regjistruar në Kosovë përfshin trafikimin e armëve të zjarrit. Vlerësohet se rreth 350,000 armë janë në duart e qytetarëve.
KROACIA
Në korrik të vitit 2019, policia kroate përfundoi një hetim gjithëpërfshirës disa mujor dhe ndaloi 23 të dyshuar që kishin formuar një organizatë kriminale për të kryer krime të ndryshme. Dyshohet se ata kishin kontrabanduar të paktën 15.7 ton marihuanë në Kroaci në tre vitet e fundit, duke bërë të paktën 11 milion € fitim të paligjshëm të cilin e ndanë midis tyre sipas roleve që kishin. Dy të dyshuarit kryesorë kishin krijuar një rrjet të krimit të organizuar në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë midis shtatorit 2016 dhe qershorit 2019, duke u lidhur me të paktën shtatë persona, përfshirë një police 43-vjeçare.
Qëllimi i kësaj organizate ishte të fitonte përfitime të konsiderueshme financiare duke blerë dhe shitur sasi të mëdha të narkotikëve të ndryshëm. Ata blinin marihuanë nga prodhuesit dhe kontrabanduesit ilegalë në Shqipëri dhe Mal të Zi dhe e transportonin atë në zonën Ljubushki të Bosnjës dhe Hercegovinës jugore nga ku, me ndihmën e gruas police, e kontrabandonin në Kroaci. Droga dërgohej në Zagreb dhe u shitej të dyshuarve të tjerë të cilët më pas furnizonin me të përdoruesit.
Midis dhjetorit 2017 dhe fundit të qershorit 2019, tre të dyshuarit kryesorë formuan një grup prej të paktën gjashtë personash në Zagreb të cilët frikësuan dhe sulmuan fizikisht njerëzit dhe u vunë zjarrin makinave të tyre. Policia tha se duke përdorur dhunë, të dyshuarit u përpoqën të merrnin pagesa borxhesh. Njëzet nga të dyshuarit u trajtuan si anëtarë të një organizate kriminale. Policia tha se 150 oficerë ishin të përfshirë në hetim, duke treguar kështu se Kroacia është vërtet serioze në luftën kundër krimit të organizuar./ Abcnews.al