Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Tensioni Rusi-Ukrainë, test serioz për NATO dhe administratën Biden

schedule18:45 - 8 Prill, 2021

schedule 18:45 - 8 Prill, 2021

Nga Dave Patterson, Eurasia Riview

A do të shohim ri-përsëritjen e ngjarjeve të vitit 2014 kur presidenti Joe Bajden ishte zëvendëspresident në administratën Obama, që ndenji duarkryq teksa Rusia aneksoi Krimenë dhe pushtoi pjesën lindore të Ukrainës?

NATO është shumë e shqetësuar për lëvizjet e fundit ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën,  dhe për rritjen e tensioneve midis të dyja vendeve. Për më tepër, manovrat ushtarake ruse  kanë ngritur kambanat e alarmit për SHBA-në.

Por sikurse raportoi “Liberty Nation”, deklarata e presidentit Biden se lideri rus Vladimir Putin është një “vrasës” – një përshkrim ndoshta i vërtetë- nuk e vendos presidentin e SHBA-së në një pozitë shumë komode për të negociuar.

Duke folur mbi vendosjen e shumë trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën, Joel Gerke iu referua në “The Washington Examiner”, reagimit të Departamentit amerikan të Shtetit, përmes zëdhënësit Ned Price:“Ne jemi absolutisht të shqetësuar nga përshkallëzimet e fundit të veprimeve agresive dhe provokuese ruse në Ukrainën Lindore, duke përfshirë shkeljet e armëpushimit të korrikut 2020.

Për më tepër, ne jemi në dijeni të raporteve ushtarake ukrainase, në lidhje me lëvizjet e trupave ruse në kufijtë e Ukrainës. Jemi duke diskutuar me aleatët e NATO-s shqetësimet tona në lidhje me këtë rritje të tensioneve, shkeljen e armëpushimit, dhe tensionet rajonale”.

Sfida e Rusisë

Alarmi është një reagim i ligjshëm, në kushtet kur rusët po rreshtojnë trupat në kufijtë e vendeve fqinje. Një artikull i vitit 2008 në “The Guardian”, raportonte se inkursioni në rajonet e kontestuara të Gjeorgjisë Osetia e Jugut dhe Abkhazia si “paqeruajtës”, filloi nga trupat ruse të vendosura në kufirin gjeorgjian.

Në mënyrë të ngjashme, në 2014, Rusia i zhvendosi trupat e saj afër kufirit me Ukrainën, dhe ndërkohë mbështeti forcat paramilitare rebele që pushtuan pjesën më të madhe të Ukrainës Lindore. Rusia përdori të njëjtën taktikë edhe në aneksimin e Krimesë.

Sipas mediave shtetërore ruse, zëdhënësi i qeverisë Dmitry Peskov, e shpërfilli shqetësimin ndërkombëtar në lidhje me manovrat e trupave ruse në kufirin me Ukrainën, duke u thënë gazetarëve se:“Federata Ruse i transferon siç dëshiron Forcat e Armatosura në tokën e saj. Kjo nuk duhet të shqetësojë askënd, dhe kjo gjë nuk paraqet ndonjë kërcënim për askënd”.

Will Stewart, korrespodent për gazetën britanike “Daily Mail”, shpjegoi se Rusia nuk do të ishte e kënaqur nëse NATO do të vendoste forcat e veta në Ukrainë. Gjithashtu duke cituar Peskov, Stewart raporton:“Rusia u zotua sot të marrë masa shtesë në rast se NATO dërgon forca në Ukrainë, teksa Kremlini dërgoi 4.000 trupa në kufirin e diskutueshëm me fqinjin e tij”.

“Pa dyshim që një skenar i tillë do të çonte në një rritje të mëtejshme të tensioneve afër kufijve të Rusisë. Dhe sigurisht, që kjo do të kërkonte masa shtesë nga pala ruse për të garantuar sigurinë e saj”- tha Peskov.

BBC News raportoi se grumbullimi i trupave ruse, përkon me një incident të fundit të bombardimeve nga separatistët e mbështetur nga Rusia:“Në shpërthimin më të keq në muajt e fundit, 4 ushtarë ukrainas vdiqën nga granatimet e separatistëve më 26 mars afër Shumas,

një fshat në rajonin e Donjeckut. Që nga ajo kohë ka pasur vetëm incidente të vogla”. Për më tepër, BBC shpjegoi se komandanti i ushtrisë së Ukrainës, gjenerali Ruslan Khomchak, u tha gazetarëve se Rusia ka vendosur 28 batalione, të përbërë nga 20.000-25.000 trupa pranë “kufirit lindor të Ukrainës dhe në Krime”.

Edhe kryeministri kanadez Trudeau ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me qëndrimin dhe retorikën ruse që po bëhet gjithnjë e më kërcënuese nga Kremlini. Reuters shpjegoi në një artikull të datës 31 mars se Trudeau donte të siguronte që200 ushtarakë kanadezë që trajtojnë trupat ukrainase të mos ishin në rrezik.

Një provë force?

NATO dhe SHBA-ja nuk duhet të habiten nga fakti që Rusia nuk e ka pranuar kurrë plotësisht “rendin e ri botëror” pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Një raport i BBC Newsi vitit 2005 – duke përdorur fjalët e vetë Putinit – i vendos në perspektivë pikëpamjet e presidentit rus.

Duke iu drejtuar me një fjalim parlamentit rus, ai tha se shpërbërja dhe shembja e Bashkimit Sovjetik ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike” e shekullit XX-të. Putini i kujtoi popullit rus se shpërbërja dhe fundi i Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 ishte “një dramë e vërtetë”, që la dhjetëra e miliona rusë jashtë federatës ruse.

Putini vazhdoi duke thënë se “vendi i Rusisë në botën moderne, do të përcaktohet vetëmnga sa të suksesshëm dhe të fortë do të jemi”.Nëse aventurizmi ushtarak rus dhe përplasjet e mundshme kufitare Ukrainë-Rusi, janë vetëm një dëshmi sesa “të suksesshëm dhe të fortë” janë rusët, apo diçka edhe më shqetësuese, kjo mbetet që të shihet.

Administrata amerikane e Joe Biden, duhet ta konsiderojë Rusinë një rivale serioze, agresive dhe bërthamore sikurse është në fakt. Stërvitjet ushtarake të Rusisë në kufirin me Ukrainën, mund të jenë testi i parë mbi vendosmërinë e Biden. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!