Tensionet ushtarake Kinë-Tajvan, më të ashprat në 40 vite

schedule10:52 - 6 Tetor, 2021

schedule 10:52 - 6 Tetor, 2021

Tensionet ushtarake me Kinën janë më të ashprat në 40 vitet e fundit, sipas një deklaratë të ministrit të mbrojtjes së Tajvanit. Chiu Kuo-cheng gjithashtu paralajmëroi se Kina ka potencialin për të pushtuar ishullin deri në vitin 2025, shkruan BBC

Komentet e tij erdhën menjëherë pasi Kina dërgoi një sërë avionësh ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit për katër ditë rresht. Tajvani e konsideron veten një shtet sovran. Pekini, megjithatë, e cilëson Tajvanin si një provincë të shkëputur.

Kina nga ana tjetër nuk ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës ushtarake për të marrë Tajvanin. Kina “ka kapacitet por nuk do të fillojë luftën tani, duke pasur parasysh shumë gjëra të tjera,” tha Chiu Kuo-cheng, pa i specifikuar se cilat.

Gjatë fjalimit të tij në Taipei,  ai foli edhe për shpenzimet prej miliarda dollarësh për ndërtimin e raketave dhe anijeve luftarake. Ai shtoi se ekziston një rrezik real përtej ngushticës së Tajvanit.

Tajvani u shkëput nga kontinenti kur komunistët morën pushtetin në 1949. Analistët kanë paralajmëruar se Pekini është i  shqetësuar gjithnjë e më shumë se qeveria e Tajvanit  do të shpallë së shpejti pavarësinë dhe dëshiron të pengojë Presidentin e tij Tsai Ing-wen të ndërmarrë një hap të tillë, raporton abcnews.al

Një numër aleatësh perëndimorë të Tajvanit kanë shprehur shqetësimin për veprimet ushtarake të Kinës gjatë kohëve të fundit. Sidoqoftë, Presidenti amerikan Joe Biden tha se homologu i tij kinez Xi Jinping kishte rënë dakord t’i përmbahej “marrëveshjes së Tajvanit”.

Biden duket se i referohej politikës së Uashingtonit “një Kinë”, sipas së cilës njeh Kinën dhe jo Tajvanin.  Sidoqoftë, kjo marrëveshje gjithashtu i lejon Uashingtonit të ruajë një marrëdhënie “të fortë jozyrtare” me Tajvanin.

SHBA i shet armë Tajvanit si pjesë e Aktit të Uashingtonit për Marrëdhëniet me Tajvanin, i cili nënkupton se SHBA-ja duhet të ndihmojë Tajvanin të mbrojë veten. Politika “Një Kinë”, të cilës Biden dhe Xi i janë referuar, është një gur themeli kryesor në marrëdhëniet kineze-amerikane, por është i ndryshëm nga parimi “një Kinë”, ku Kina këmbëngul se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës dhe se do ti bashkohet një ditë.

“Unë kam folur me Xi për Tajvanin. Ne jemi dakord  dhe do t’i përmbahemi marrëveshjes së Tajvanit,” tha Presidenti Biden.

“Ne kemi biseduar dhe unë mendoj se ai nuk do të bëjë asgjë tjetër përveçse t’i përmbahet marrëveshjes.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!