Tensionet Rusi-Ukrainë në kufi, sekretari amerikan i shtetit zbarkon në Kiev

schedule18:44 - 2 Maj, 2021

schedule 18:44 - 2 Maj, 2021

Aktiviteti destabilizues rus kundrejt Ukrainës do të zërë një vend të rëndësishëm në vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit javën e ardhshme në Evropë.

Shefi i diplomacisë amerikane Antony Blinken fillon të hënën vizitën në Evropë, fillimisht në Londër ku do të takohet me homologet e Grupit të Shtatëshes, në përgatitje për takimin e ushëheqësve të G-7 në qershor në Angli. Ministrat pritet të diskutojnë reagimin ndaj sfidave të përbashkëta, përfshirë pandeminë e koronavirusit dhe ndryshimet klimatike.

Më pas ai shkon në Kiev në një gjest që demonstron mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për qeverinë e Ukrainës përballë kërcënimeve ndaj sovranitetit nga Rusia.

Zoti Blinken do të takohet me Presidentin e Ukrainës Volodimir Zelenski dhe zyrtarë tjerë të lartë në vend.

Pas disa javë shtimi të përforcimeve që krijuan alarm ndër autoritetet ukrainase dhe Perëndimin, Rusia ka tërhequr trupat nga zona kufitare. Por zhvillimet e fundit kanë krijuar një acarim të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe retorikës mes fuqive perëndimore dhe Kremlinit./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!