Analisti Mentor Nazarko thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk zbatoi udhëzimet e SHBA, në lidhje me konstituimin e kryetarëve të rinj në 4 komunat në veri.
Në një intervistë për ABC News, Nazarko u shpreh se Kurti mund ta ketë bërë diçka të tillë për dy arsye.
Sipas tij, veprimi i Kurtit është i gabuar dhe nuk mund të dalë kundër ndërkombëtarëve.
“Në pikëpamjen formale, kemi plotësimin e proçesit të konstituimit të institucioneve të reja komunale në Kosovë, pas përfundimit të zgjedhjeve. Kryetarët e zgjedhur po tentojnë që të nisin përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Ata janë kryetarë shqiptarë për hir të së vërtetës, në zgjedhje kishte një pakicë pjesëmarrëse, ka një kontestim për legjitimitetin e këtyre institucioneve, që sjell si pasojë një mobilizim të përmasave të caktuara të qytetarëve serbë në veri të Kosovës, kundër konstituimit të kryetarëve. E gjitha kjo po ndodh kur, nga njëra anë, në Beograd kemi një protestë të madhe në mbështetje tëVuçiçit dhe kemi nga ana tjetër, një kundërvënie të Perëndimit, SHBA-së posaçërisht, dhe NATO-s apo BE, kundër këtij veprimi të autoriteteve të Kosovës.
SHBA nuk ka qenë kaq e përgjithshme, ka qenë më specifike. Ambasadori amerikan në Kosovë i ka dhënë një listë hapash që duhet të përmbushin autoritetet për konstituimin e organeve komunale në 4 komuna. SHBA ka qenë e qartë në qasjen që duhet të kishin autoritetet e Kosovës. Unë mendoj që këtu mund të ketë disa arsye. Një arsye e parë, është nevoja e Kurtit për të rritur kuotat e pëlqimit të tij në sondazhet që zhvillohen. Arsye e dytë, mund të jetë për të treguar që unë nuk kam ndërmend të bëj asnjë koncension të rëndësishëm në dialog, kjo ndikohet edhe nga fakti që unë nuk dëgjoj as aleatin tim kryesor, kur vjen puna te konstituimi i organeve komunale. Ky është një veprim i gabuar”, theksoi ai./abcnews.al