Tensionet në veri të Kosovës, Berisha thirrje SHBA-së dhe BE-së: Dënoni skenarin destabilizues të orkestruar nga Vuçiç

schedule12:29 - 18 Dhjetor, 2022

schedule 12:29 - 18 Dhjetor, 2022

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që të dënojnë skenarin destabilizues të Beogradit në veriun e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha akuzon Presidentin serb Aleksandër Vuçiç se përmes këtij skenari dëshiron të dështojë pa filluar negociatat mbi propozimin e fundit Franko-Gjerman për marrëveshje midis dy vendeve. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje KFOR-it, që të përmbushë të gjitha detyrimet e tij për t’i dhënë fund kësaj situate të krijuar dhe orkestruar nga Beogradi.

Postimi i plotë:

Ballkanizimi i diplomacisë ndërkombëtare nuk është zgjidhja!
Të dashur miq, prej disa ditësh në veriun e Kosovës banda të armatosura serbe, por thuhet edhe mercenarësh të Wagner-it kanë bllokuar me barrikada rrugët, vendkalimet kufitare duke dhunuar haptas ligjin dhe rendin e një vendi të lirë dhe të pavarur. I gjithë ky skenar i rrezikshëm dhe destabilizues ka si arkitekt kryesor Aleksandër Vuçiç. Ky skenar realizohet në një kohë kur dy vendet kryesore të BE Franca dhe Gjermania, të mbështetura edhe nga SHBA kanë paraqitur një plan për një marrëveshje, me gjasa më të rëndësishmen deri sot, midis Kosovës dhe Serbisë. Askush perveç Beogradit dhe Kremlinit nuk mund të jetë të intersuar për zhvillime të tilla dhe nuk perfitojnë më shumë se ata prej tyre.
Por ajo që është e paprecedent është mos dënimi, madje edhe njëfarë justifikimi me heshtje i zhvillimeve në veriun e Kosovës nga faktori ndërkombëtar, përfshi këtu të deleguarit e BE dhe SHBA për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë. Po rikujtoj këtu heshtjen jo parimore ndaj sulmit me bomba kundër gazetarëve dhe ekipeve televizive të Prishtinës në Rudar, plagosjen e policit nga bandat e armatosura në veri etj.
Krijimi i idesë së indiferencës ndaj veprimeve të banditëve dhe kriminelëve të armatosur serb që bllokojnë rrugët, sulmojnë me armë zjarri policinë dhe hedhin granata ndaj mediave, shpreh në këtë rast fort delikat njëlloëj ballkanizimi të diplomacisë ndërkombëtare, një gabim jo i vogël ky me pasoja të shumëanëshme, nga i cili përfitojnë vetëm bandat e armatosura dhe arkitekti i skenarit destabilizues Aleksander Vuçiç, i cili kësaj rradhe po i përdor ato me qëllim që të sigurojë propozimin serioz Franko-Gjerman.
Asnjë marrëveshje, asnjë progres nuk mund të arrihet duke u mbështetur apo mirëkuptuar aktet antiligjore të bandave të armatosura dhe veprimet e tyre kriminale që dhunojnë rendin dhe ligjin. Tolerimi i tyre hap një spiral shumë të rrezikshëm, moleps klimën e bisedimeve për marrëveshje, dëmton imazhin e autoriteteve të Kosovës para qytetarëve të saj, por dhe të atyre ndërkombetarë, pasi shpreh njëllojë ballkanizimi të diplomacise së tyre që nuk ndihmon, por dëmton procesin e dialogut dhe negociatave.
Duke dënuar me forcën më të madhe veprimtarinë kriminale të bandave të armatosura serbe në veri të Kosovës të orkestruara nga serbomadhi Vuçiç dhe duke mbështetur fuqimisht të drejtën e qeverisë së Kosovës për vendosjen e integritetit teritorial në mbarë vendin, ju bëj thirrje Bashkimit Europian dhe SHBA të dënojnë skenarin destabilizues të Beogradit në veriun e Kosovës, me të cilin presidenti Vuçiç kërkon të dështojë pa filluar negociatat mbi propozimin e fundit Franko-Gjerman për marrëveshje midis dy vendeve. Sikundër i bëj thirrje KFOR-it të përmbush të gjithë detyrimet e tij për t’i dhënë fund kësaj situate të krijuar dhe orkestruar nga Beogradi.
Së fundi shtoj se pavarësisht nga kërcënimet dhe përpjekjet e Beogratit për destabilizm, siguria e Kosovës është pa dyshim e garantuar nga NATO. Prandaj u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës, të cilat në interes të vendosjes së dialogut, kanë dëshmuar fleksibilitet e pergjegjësi të lartë në qendrimet e tyre, të vazhdojnë të japin të gjithë ndihmën e mundeshme dhe të mos lejojnë qe spirali i dhunës të zëvendesojë dialogun dhe perspektivën e marrëveshjes së rëndesishme, jo vetëm për Kosoven por edhe për rajonin tonë./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!