Tensionet në veri, ish-deputetja e LDK: Kosova kishte nevojë për mbështetjen e Shqipërisë

schedule22:42 - 27 Shtator, 2021

schedule 22:42 - 27 Shtator, 2021

Përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij në Kosovë Albin Kurti për tema të nxehta si “Open Balkan” ish-deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli i ka cilësuar si një luftë për protagonizëm.

Sipas saj që ajo u shpreh në “Log” me Endri Xhafon në ABC, të dy liderët duan të tregojnë se kush është më popullori mes shqiptarëve.

“Albin Kurti bëri gabim që krijoi parti në Shqipëri e shkoi për të votuar, gabime të shumta bëri edhe Rama me ministrat nga Kosova…”

Ndërsa, për vizitën që kryeministri Rama bëri sot në Kosovë, zonja Tërmkolli tha se vizita të tilla janë të domosdoshme dhe se përkrahja në radhë të parë nga Shqipëria për situatën në veri është për t’u përshëndetur.

“Vizita që u bë është mirë. Shumë të dobishme, janë të domosdoshme. Mendoj që ajo që tha Rama, dhe ajo që doli nga takimi me kryeministrin, natyrisht që është për tu përshëndetur edhe përkrahja. Kosova kishte nevojë për mbështetje në radhë të para nga Shqipëria pastaj edhe nga BE dhe Uashingtoni.”

Megjithatë, sipas ish-deputetes të LDK-së, përkrahja në këtë rast ishte “me bisht”. Ajo thotë që është kontradiktore që në njërën anë të thuash që përkrah vendimin e qeverisë kosovare për reciprocitetin e targave, dhe nga ana tjetër të përmendësh “Open Balkan”.

“Sot Rama duhej të ngrinte pjesëmarrjen e Shqipërisë në Ballkanin e Hapur, derisa Serbia të njohë Kosovën. Edi Rama e Kurti duhej të formonin një grup të përbashkët në OKB për të lobuar për njohjen e Kosovës.”

Por a po rrezikon Kosova të futet në një situatë lufte me Serbinë? Të ftuarit në studio ranë dakord që situata është delikate dhe se historia ka treguar që nga incidente të vogla kanë nisur luftërat më të mëdha. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!