Tensionet në Ukrainë: Putin i thotë Bidenit sanksionet e reja mund të prishin marrëdhëniet

schedule06:17 - 31 Dhjetor, 2021

schedule 06:17 - 31 Dhjetor, 2021

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar homologun e tij amerikan Joe Biden se vendosja e sanksioneve të reja mbi Ukrainën mund të çojë në një prishje të plotë të marrëdhënieve. Në një telefonatë të enjten, presidenti rus tha se sanksione të tilla do të ishin një gabim kolosal. Zoti Biden i tha zotit Putin se SHBA-të dhe aleatët e saj do t’i përgjigjen me vendosmëri çdo pushtimi të Ukrainës.

Kjo telefonatë që ishte kërkuar nga Rusia zgjati për gati një orë dhe ishte biseda e dytë ndërmjet dy liderëve përgjatë këtij muaji raporton “BBC”. Telefonata shënoi përpjekjen e fundit për të zbutur tensionet mbi kufirin lindor të Ukrainës me Rusinë, ku zyrtarët ukrainas thonë se më shumë se 100,000 trupa ruse janë dërguar. SHBA-të kanë kërcënuar presidentin rus me sanksione nëse Ukraina vihet nën sulm.

Autoritetet ruse kanë mohuar se po planifikojnë që të pushtojnë vendin dhe thonë se trupat janë atje për stërvitje. Edhe pse të dy palët shkëmbyen paralajmërime gjatë bisedës, këshilltari rus për politikën e jashtme Yuri Ushakov u tha gazetarëve menjëherë pas telefonatës se zoti Putin ishte i kënaqur me bisedën. Ai shtoi se ishte krijuar një sfond i mirë për bisedimet e ardhshme.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki deklaroi se Presidenti Biden përsëriti gjatë bisedës se përparimi në dialogë mund të ndodhë vetëm në një mjedis de-përshkallëzimi. Ajo shtoi gjatë deklaratës së saj se presidenti e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe e saj do të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton Ukrainën

Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen për bisedime në Gjenevë muajin e ardhshëm.  / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!